Edhe pse gazetarja Elida Marvataj raportoi se në selinë blu ka pllakosur heshtja, këtë gjë e mohoi koordinatori i kësaj partie për qarkun Tiranë Klevis Balliu.
“E para s’ka pllakosur heshtja se po të kishte pllakosur, nuk do flisja unë”, tha ai në lidhje të drejtpërdrejtë për “Opinion”.
Të Dielën e zgjedhjeve e cilësoi një ditë krimi me një sërë provash sipas tij, që janë pasqyruar edhe në raportin e OSBE/ODIHR-it.
“Denoncimet e videot po bëjnë xhiron në rrjetet sociale, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mediat ndërkombëtare. U kthye në një ditë krimi, u gjetën grupe kriminale, po s’kishte polici. Gra e burra vraponin me xhupa në kokë nga zyrat ilegale, ndërkohë që thonin se po hanim kokoshka, nuk është turp të hash kokoshka.
Ky rezultat, nuk ka njeri normal, që e sheh si rrjedhojë të një procesi të rregullt zgjedhor. Me qeveri në burg e vjedhje, të rritesh me 10 mandate është non sense. Raportet e OSBE/ODIHR-it janë faktike, e deklaroi që me këto zgjedhje Shqipëria nuk shkon në Europë. Është raport sipas vëzhgimeve, përpos atyre do shtohen faktet që ka opozita për shkeljet zgjedhore.
Si te njësia 5 në Tiranë, ishte edhe në Yzberisht. Nuk ishte rast unik. Minimalisht besoj që ju mund t’i referoheni raportit të OSBE/ODIHR-it. Duke qenë se jam një nga ata që ka kapur njerëz në zyra ilegale, prandaj janë bërë kallëzime penale. Të gjithë ata që kanë parë denoncimet, janë të qartë që ky rezultat është si rrjedhojë e manipulimeve”, u shpreh Balliu.