Shembja e rezervuarit në Klos/ Gjenden disa rroba që dyshohet se i përkasin 29 vjeçarit që u mbulua nga rrëshqitjet e dheut

Disa ditë më parë një 29-vjeçar teksa po punonte me ekskavator u mbulua nga një rrëshqitje masive dheu në fabrikën e përpunimit të kromit në zonën e quajtur “Qafa e Burrelit”. Ndërkohë kërkimet për gjetjen e 29 vjeçarit Ardit Beshiri, po vijojnë pa ndërprerje prej disa ditësh.

Grupeve të kërkim-shpëtimit i janë shtuar edhe ekipe nga Forcat e Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë mbërritur këtë të mërkurë pranë vendit ku po zhvillohen kërkimet. Gjithashtu deri tani mësohet se janë disa shenja rrobash që dyshohet të jenë të 29 vjeçarit, dhe disa mbetje të mjetit eskavator, me të cilin ai po punonte në momentin e incidentit.

Kërkimet po bëhen me mjete të rënda, me krah nga ana e ushtrisë si dhe me anë të disa aparaturave që detektojnë trupa nën tokë. Ndërkohë, burime bëjnë të ditur se në zonën ku janë gjetur rroba është vendosur perimetri i sigurisë dhe ekipi i kërkimit po bën të mundur heqjen e dheut në mënyrë të ngadaltë për të parë nëse do të jetë trupi i pajetë i 29 vjeçarit Ardit Beshiri.


Shtuar 7.05.2025 17:07