Do bëj koalicion me PD apo PS? Adriatik Lapaj jep përgjigje

Përfaqësues nga koalicioni ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ janë mbrëmjen e sotme në studion e emisionit Opinion në TV Klan, për të shpalosur programin elektoral për zgjedhjet e 11 majit.

Në fjalën e tij, Adriatik Lapaj u shpreh se objektivi “me këmbë në tokë” i koalicionit të tyre është 300 mijë vota në kuti.

Po ashtu, ai tha se i qëndron me bindje deklaratës së mëparshme, se kjo forcë do e çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Vendim ky, për 3 arsye kryesore!

“Unë mund të kem shumë gabime në jetë, nuk jam perfekt. Por një gjë është e sigurt, i them gjërat publikisht se jam i bindur. Jo për arrogancë, destabilitet, po për 3 arsye. Në këtë vend jemi koshientë që presionohet administrata. E dyta, jemi dëshmitarë që ekziston fenomeni i shit-blerjes së votës dhe ndërlidhja e të fortëve me politikën. Dale, javën e fundit do i shihni! SPAK ka bërë punë të mirë, por fenomeni ekziston. Nëse ekzistojnë këto 3 fenomene, do të thotë që zgjedhjet janë të bëra pis. Prandaj ne duam votëbesimin dhe do krijojmë një qeveri tranzitore, asnjë parti s’do ketë monopolin e dhunimit të administratës. Krimi e të fortët mos të kenë më mbështetje politike.”

Qasja “armiqësore” ndaj Partisë Socialiste sipas Lapajt, do të qëndrojë e palëkundur.

“Votat nuk janë thasë me çimento. Unë mendoj që elektorati shqiptar është vënë përballë tifozerisë sepse nuk është trajtuar alternativa si mundësi. Nuk jemi duke i marrë asnjë votë askujt! Nëse do jetë në dorën tonë, Rama do shkojë në opozitë. I sigurt si vetë jeta dhe vdekja! Nëse do varet nga ne, do bjerë nga pushteti”, tha Lapaj.


Shtuar 29.04.2025 23:37