Mëngjesin e sotëm rreth orës 06:00, një ngjarje e rëndë ka tronditur Vlorën, pasi është gjetur i pajetë shtetasi 58-vjeçar, i identifikuar si Renato Hoxhaj.
Mësohet se 58-vjeçari është vrarë në rrugë, në afërsi të banesës së tij, ndërsa policia po heton mbi ngjarjen.
Sipas policisë, 58-vjeçari Renato Hoxhaj, është qëlluar me tre plumba, dy në kokë dhe një në kraharor.
Po në afërsi të banesës së tij ai punonte si roje, në një objekt ndërtimi.
Ndërkohë, mësohet se 58-vjeçari nuk ka pasur asnjë precedent të mëparshëm penal, ndërsa në zonë njihej si njeri jo problematik. Ai ishte i divorcuar dhe baba i dy fëmijëve dhe jetonte vetëm.
Pranë vendit ku është vrarë ka edhe kamera sigurie, të cilat janë marrë nga policia për tu këqyrur, ndërsa po ashtu është marrë në pyetje edhe një prej familjarëve të viktimës.
Ndërkohë, janë publikuar dhe pamjet e para nga vendi i ngjarjes.
Ai ruante një objekt në ndërtim pranë banesës së tij në lagjen “Hajro Çakërri”.
Ndërkohë bëhet me dije se vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve.