Rusia dhe Ukraina pritet të shkëmbejnë rreth 500 të burgosur

Rusia dhe Ukraina pritet të realizojnë nesër një tjetër shkëmbim të të burgosurve, në një proces të ndërmjetësuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, bën të ditur një burim për agjencinë Reuters.

Sipas këtij burimi, në këtë raund do të shkëmbehen afërsisht 500 të burgosur, përfshirë 46 ushtarë të plagosur. Secila palë pritet të dorëzojë 246 të burgosur, në vazhdën e shkëmbimeve të mëparshme mes dy vendeve.

Që prej fillimit të konfliktit, Rusia dhe Ukraina kanë kryer qindra shkëmbime të burgosurish, shumica prej të cilave janë mundësuar përmes ndërmjetësimit të Emirateve të Bashkuara Arabe. Numri total i të burgosurve të shkëmbyer deri më tani ka arritur në 3,233.

Ky zhvillim vjen në një moment kritik, pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi sot se SHBA mund të tërhiqet nga përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje, nëse brenda ditëve në vijim nuk ka sinjale të qarta për një armëpushim të mundshëm.


Shtuar 18.04.2025 23:10