SPAK kontrollon shtëpinë e Gaz Pajes, banesa rezulton në pronësi të Erion Veliajt

Një zhvillim i papritur ka ndodhur në zonën e Kodrës së Diellit, ku agjentët e BKH-së kanë kryer një kontroll në një banesë që, sipas burimeve, i përket aktorit të njohur Gaz Pajës.

Ajo që e bën edhe më të bujshëm rastin, është fakti se banesa rezulton të jetë blerë nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Lajmi u bë i ditur nga profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço, gjatë një interviste në emisionin “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania.

Ai theksoi se, megjithëse SPAK e ka zhvendosur vëmendjen te procesi zgjedhor, kontrollet për çështjet që janë ende nën hetim vijojnë me intensitet.

“Para dy orësh është kontrolluar një banesë një kat më lart me banesën e Erion Veliaj. Hetimet janë në vazhdim dhe ndonëse zgjedhjet janë afër, për raste të veçanta SPAK nuk po ndalet”, deklaroi Karamuço.

Burime të pakonfirmuara zyrtarisht, flasin për një lidhje midis përdorimit të kësaj banese nga ana e aktorit dhe marrëdhënieve të tij me figura të njohura të politikës.

Ende nuk dihet zyrtarisht arsyeja e kontrollit, ndërsa reagime nga Veliaj apo Paja nuk ka pasur deri tani.


Shtuar 15.04.2025 13:50