Aktorja ikonë e kinemasë italiane, Ornella Mutti, ka dhënë një rrëfim të ndjerë për “Corriere della Sera”, ku është ndalur në aspekte të ndryshme të jetës së saj – nga fillimet si një vajzë e turpshme, tek fama, fëmijët, nipërit, dashuritë e mëdha dhe rolet që i janë ofruar ndër vite.
Në intervistë, Mutti pranoi se pavarësisht suksesit dhe reputacionit, gjithmonë është ndjerë larg botës së famës. “Njerëzit mendojnë se jam snobe, por e vërteta është se gjithmonë kam qenë e ndrojtur”, shprehet ajo. Pikërisht kjo ndrojtje, sipas saj, e ka penalizuar në shumë aspekte të karrierës.
Një nga pikat më prekëse të rrëfimit ishte lidhja me vajzën e saj të madhe, Naike. “E solla në jetë kur isha vetëm 19 vjeç. Ajo ishte gjithçka për mua. Më shpëtoi nga shumë gabime në një periudhë ku eksperimentimi me drogën ishte i zakonshëm”, rrëfen Mutti.
Aktorja foli edhe për mungesën e roleve cilësore për gratë në moshë, një realitet që e prek sidomos në Itali. “Nuk më mjafton vetëm aktrimi. Pranoj role të vogla që më japin kënaqësi. Për fat kam teatrin që më jep jetë”, thotë ajo, duke theksuar se ndryshe nga kinemaja italiane, në vendet si Spanja ka më shumë hapësirë për diversitet në role.
Për herë të parë, ajo pranoi hapur edhe ndikimin që pati lidhja me Adriano Celentanon, e cila u përfol shumë vite më parë dhe thuhet se shkaktoi krisje në martesën e këngëtarit me Claudia Mori. “Nëse ndodhi, ia vlente. Ai ishte i veçantë, xhirimet me të ishin një lojë, qeshnim pa fund”, u shpreh Mutti.
Në fund, ajo pranoi se ende ka nevojë për dashuri: “Do të doja të kisha dikë që më përqafon, që më mbështet… por dashuria më ka kushtuar shumë. Kam zgjedhur të jetoj ëndrrën, duke mos e parë realitetin, vetëm që ta mbaj atë gjallë.”
Një intervistë që zbërthen shpirtin e një gruaje të fortë, të ndjeshme, e cila pavarësisht famës, mbetet thellësisht njerëzore.