Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Turqi në kuadër të Forumit Diplomatik ka deklaruar se procesi i njohjeve ndërkombëtare të Kosovës është zhbllokuar pas një periudhe pesëvjeçar. Osmani shtoi se në më pak se një muaj Kosova ka marrë dy njohje të reja nga Kenia dhe së fundmi, nga Sudani.
Osmani theksoi në një intervistë për RTK-në se këto zhvillime janë një momentum i rëndësishëm për diplomacinë e Kosovës, pasi vijnë nga dy shtete me ndikim të madh në kontinentin afrikan dhe më gjerë.
“Është një rienergjizim i rëndësishëm i këtij procesi, por përveç këtyre dy njohjeve të fundit, ka edhe suksese të tjera. Kemi arritur të thellojmë marrëdhëniet me shumë shtete për të cilat Serbia pretendonte se kanë tërhequr njohjen. Këto shtete tashmë i kanë rikonfirmuar raportet dypalëshe me Kosovën”, tha ajo.
Presidentja e Kosovës tha se njohjet ndërkombëtare kërkojnë kohë dhe angazhim afatgjatë. Sipas saj ka shtete me të cilat kanë punuar më shumë se një dekadë për të arritur njohjen, e kjo tha Osmani e bën çdo sukses edhe më domethënës. Lidhur me diskutimet në vend për meritat e këtyre njohjeve, Osmani tha se asnjë person serioz nuk duhet të personalizojë këtë proces.
“Këto janë merita të popullit të Kosovës, të sakrificës sonë dhe të punës së shumë institucioneve në bashkëpunim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë”, deklaroi ajo.
Në fund, e pyetur për të ardhmen e saj politike, Osmani u përgjigj se nuk ka rëndësi e ardhmja e individëve, por e ardhmja e Kosovës. Ajo tha se do të vazhdojë të kontribuojë për vendin për një kohë të gjatë.