“E pajustifikueshme!” Bashkimi Europian i kundëpërgjigjet tarifave të Trump: Tarifë 10-25% për mallrat amerikanë

Shtetet anëtare të BE miratuan të mërkurën tarifa 25% për një gamë të gjerë produktesh amerikane, raporton Euronews. Unioni do të vendosë tarifa 10-25 për qind ndaj produkteve amerikane me vlerë më shumë se 24 miliardë dollarë, duke përfshirë duhanin, motoçikletat, çelikun dhe aluminin.

“BE i konsideron tarifat amerikane të pajustifikuara dhe të dëmshme, duke shkaktuar dëm ekonomik për të dyja palët, si dhe ekonominë globale”, thuhet në një deklaratë nga komisioni.

Këto janë masat e para hakmarrëse të Evropës në luftën tregtare të zhvilluar nga presidenti amerikan Donald Trump kundër partnerëve të tij tregtarë anembanë globit.

Hungaria e kishte bërë të qartë se nuk po votonte pro. Franca, Irlanda dhe Italia siguruan heqjen e uiskit Bourbon nga lista e produkteve të synuara, pasi Trump kërcënoi se përfshirja e tij do të shkaktonte kundërvendosjen e një tarife 200% për alkoolin evropian.

Këto masa hakmarrëse janë hapi i parë në përgjigjen e BE-së ndaj luftës tregtare të SHBA. Përveç aluminit dhe çelikut, administrata Trump ka vendosur tarifa doganore prej 25% për makinat e BE-së dhe tarifa “reciproke” prej 20% për të gjitha importet e BE-së. 70% e eksporteve të BE-së në SHBA janë prekur.

Komisioni po punon për një paketë të dytë hakmarrjeje e cila do të paraqitet në fillim të javës së ardhshme, tha të martën ekzekutivi i BE-së.


Shtuar 9.04.2025 16:16

Tags: ,