Adriatik Lapaj padit në SPAK kreun e partisë “Mundësia”, Agron Shehaj

këtë të martë, kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme një padi për shpifje ndaj deputetit Agron Shehaj.

Lapaj pretendon se ka të paktën 8 raste të dokumentuara shpifjeje, në padinë e tij ndaj kreut të partisë “Mundësia”.

Në një deklaratë për media, Lapaj ka theksuar se akuzat e Shehajt për financimin e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, por dhe akuzat personale, janë të pabazuara dhe kanë për qëllim dëmtimin e imazhit dhe integritetit të tij.

“Unë nuk kam dashur të krijoj konflikt mes të resë, por kush kërkon luftë, luftë do gjej. Zoti Shehaj duhet të vijë me dokumenta të provojë pretendimet. Unë Adriatik Lapaj me përgjegjësi të plotë them që nuk kam në Republikën e Shqipërisë as unë, as nëna, as babai dhe asnjë familjar i rrethit të parë tim asnjë metër tokë në Shqipëri, jo më shumë. Ka pretenduar se unë kam përfaqësura kompani të krimit që janë sekuestruar nga SPAK dhe kam marrë lekë nga këto kompani. Të dalë një gazetar që ta verfifikojë që kam marrë një cent nga këto kompani”, tha Lapaj për gazetarët.

Kujtojmë se Shehaj e ka akuzuar publikisht Lapajn se ka marrë 45 milionë lekë nga një kompani, e cila është sekuestruar nga SPAK nën akuzën e pastrimit të parave.

Sipas kreut të Partisë Mundësia, shkelja e Lapajt qëndron në faktin se ai ka marrë para për të kryer funksionin e avokatit në një proces gjyqësor që gjykohej nga vjehrri i tij, ish-gjyqtari, Alltun Çela.


Shtuar 1.04.2025 14:59