Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka shkarkuar ambasadoren e Serbisë në Zagreb, Jelena Miliç. Vendimi është publikuar ditën e sotme në Gazetën Zyrtare të Serbisë, ndërsa ka hyrë menjëherë në fuqi.
Siç bëhet me dije në dokumentin zyrtar, Miliç është lirur nga detyrë, por nuk është dhënë ndonjë arsye specifike në lidhje me këtë vendim.
Jelena Miliq, një ish-aktiviste në sektorin joqeveritar, e cila që atëherë ka shfaqur favorizim ndaj partisë në pushtet, është emëruar ambasadore para dy vitesh e gjysmë dhe pas disa incidenteve gjatë mandatit të saj, ajo po kthehet në Beograd. Arsyet e tërheqjes nuk janë deklaruar zyrtarisht dhe as lajmi nuk është publikuar në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Megjithatë, shkarkimi i ambasadorës ka ardhur pas kritikave të presidentit Vuçiç, për marrëveshjen e bashkëpunimit në fushnë e mbrojtjes midis Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë. Vuçiç e kritikoi ashpër, teksa e cilësoi si një garë të re armatimi në rajon.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç akuzoi Kroacinë dhe Shqipërinë se po nis një “garë armatimi” në rajon duke nënshkruar marrëveshjen me ato që ai i quajti “institucione të përkohshme” në Kosovë, që do të thotë qeveria e vendit.
“Është një situatë e vështirë për ne, por e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe ne do ta mbrojmë vendin tonë, do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor potencial, qoftë edhe ky i fuqishëm”, tha Vuçiç.
Ndërkohë, ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç tha se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, s’ka pse shqetësohet pasi marrëveshja në mes të këtyre tri shteteve është për mbrojtje.
Marrëveshja e mbrojtjes u nënshkrua më 18 mars në Tiranë, nga ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, ai i Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe ministri kroat, Ivan Anushiç. Nënshkrimi i saj ka nxitur reagime të forta në Serbi, duke ndikuar edhe në marrëdhëniet diplomatike në rajon.