U ekstradua nga Holanda, GJKKO lë në burg Kristi Bixhekun, pjesë e bandës së Laert Haxhiut

Gjykata e Posaçme ka lënë në qeli pa afat Kristi Bixhekun, një prej anëtarëve të grupit të Laert Haxhiut, i ekstraduar dy ditë më parë nga Holanda.

Mësohet se 30-vjeçari Kristi Bixheku, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka caktuar masën e sigurisë, “Arrest me burg”, për veprat penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, “Sigurimi i kushteve material për të kryer vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe”Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Ai akuzohet nga SPAK se në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka siguruar lëndën shpërthyese që është vendosur në shtëpinë e Bujar Turkut, në 31 Dhjetor 2022, në qytetin e Lushnjës.

Bixheku qëndroi në arrati që prej Tetorit 2023, kohë kur u lëshua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg” pas bashkëpunimit me drejtësinë të Artan Tafanit, një tjetër anëtari të grupit të Haxhiut.


Shtuar 17.03.2025 17:53