Zjarri në diskotekë në RMV, Papa Françesku: Ngushëllime të thella për familjet e viktimave

Përmes një telegrami të nënshkruar nga Sekretari Kardinal i Shtetit, Pjetro Parolin, Papa Françesku shprehu ngushëllimet e tij pas zjarrit që përfshiu një klub nate në Maqedoninë e Veriut.

Si pasojë humbën jetën 59 persona, kryesisht të rinj.

Papa shprehu “ngushëllime të thella për familjet e viktimave”, thuhet në telegramin dërguar peshkopit të Shkupit Kiro Stojanov.

Sipas drejtoreshës se spitalit ne Koçan, viktimat ishin te moshave 14-25 vjeç. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të 16 marsit, në një klub nate në Koçan dhe si pasojë e flakëve mbi 155 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Në diskotekë ishin rreth 500 të rinj, duke ndjekur një performancë nga një grup muzikor vendas.


Shtuar 16.03.2025 17:40