Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi njoftoi këtë të premte se ka dorëzuar në SPAK dokumentet që sipas tij provojnë korrupsionin e ministres së Energjetikës dhe njëherazi zv/kryeministres Belinda Balluku.
“Janë 11.3 kilogramë prova në letër për korrupsionin, shpërdorimin e detyrës, shkeljen e barazisë në tendera dhe abuzimin me pushtetin të numrit 2 të qeverisë së Edi Ramës”, tha Bardhi.
Ai i kërkoi Prokurorisë së Posaçme të hetojnë aferën 80 mln euro të dy anijeve TEC-e në Vlorë të cilat nuk janë vënë në punë asnjëherë.
“Lidhur me aferën e termocentraleve lëvizës që s’prodhuan asnjëherë energjinë por për të cilën u paguan paratë, i kam dorëzuar Prokurorisë së Posaçme një mal me dokumenta. Janë 11.3 kilogramë prova në letër për korrupsionin, shpërdorimin e detyrës, shkeljen e barazisë në tendera dhe abuzimin me pushtetin të numrit 2 të qeverisë së Edi Ramës.
Mjafton vetëm pak vullnet nga SPAK dhe disa specialistë me integritet që t’u provojnë shqiptarëve se Belinda Balluku e ka keqpërdorur postin publik dhe ka djegur jo për interes të shqiptarëve të paktën 80 milionë euro.
Belinda Balluku dukshëm nuk është në pozicion të favorshëm në raport me drejtësinë. Është vetëm çështje kohe që skemat korruptive në sektorin e energjisë, abuzimi me pushtetin dhe paratë publike të zbardhen plotësisht nga drejtësia dhe sistemi qeverisës të çlirohet nga keqbërës si Belinda Balluku dhe Edi Rama”, u shpreh Bardhi.