Policia ka dhënë detaje nga goditja e grupit të strukturuar kriminal të trafikut të drogës, pas operacionit të finalizuar nga Shqipëria në bashkëpunim me Italinë.
Raportohet se gjatë operacionit të koduar “Alba Tibus”, janë vendosur në pranga 3 shqiptarët Anxhelo Ajazaj, 27-vjeç, Klarens Dalipaj alias Dhrami, 30-vjeç dhe Xhino Hamitaj, 30-vjeç.
Hetimet janë identifikuar dhe një tjetër pjesëtar të grupit, Eurel Liçaj, i cili aktualisht po vuan dënim në burgun e Rrogozhinës.
Sipas uniformave blu, 3 të rinjtë e arrestuar dhe i dënuari kanë trafikuar në Itali, kryesisht Romë, kanabis.
“Ata dhe shtetasi E. L. që aktualisht po vuan një dënim në IEVP Rrogozhinë, akuzohen në kuadër të një procedimi penal të iniciuar nga Prokuroria e Romës, se në vitin 2019, të organizuar si grup i strukturuar kriminal, kanë trafikuar në Itali (kryesisht në Romë), lëndë narkotike Cannabis Sativa”, njoftuan uniformat blu.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet në Shqipëri dhe në Itali, operacioni ndërkombëtar i koduar “Alba Tibus”, për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal për trafikim të lëndëve narkotike.
Operacioni në Shqipëri u finalizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, si dhe në koordinim me homologët italianë, me Zyrën e Interforcës Italiane në Shqipëri, Karabinierinë e Romës, Parioli, dhe me Drejtorinë e Interpolit.
Akuzohen për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal në Itali, për trafikim të Cannabisit, lokalizohen, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas shqiptarë.
Hetimet e përbashkëta identifikojnë dhe një tjetër pjesëtar të grupit, i cili aktualisht po vuan dënim në IEVP Rrogozhinë.
Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Alba Tibus.Al”, u vunë në pranga shtetasit A. A., 27-vjeç, K. D. alias K. Dh., 30-vjeç dhe Xh. H., 30-vjeç. Ata dhe shtetasi E. L. që aktualisht po vuan një dënim në IEVP Rrogozhinë, akuzohen në kuadër të një procedimi penal të iniciuar nga Prokuroria e Romës, se në vitin 2019, të organizuar si grup i strukturuar kriminal, kanë trafikuar në Itali (kryesisht në Romë), lëndë narkotike Cannabis Sativa.
Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e vendosur për të vijuar bashkëpunimin me partnerët, për veprime të përbashkëta hetimore dhe operacionale, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimit të organizuar dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Dhjetëra arrestime mes Italisë, Shqipërisë dhe Spanjës
Një operacion i madh anti-drogë është zhvilluar nga policia e Romës, duke çuar në arrestimin e 27 personave në Itali, Shqipëri dhe Spanjë.
Operacioni, i koordinuar nga Drejtoria e Qarkut Anti-Mafia (DDA) , çmontoi një organizatë kriminale që përdorte Qendrën e Pritjes së Jashtëzakonshme në Via della Riserva Nuova në Romë si bazë për ruajtjen dhe shpërndarjen e drogës.
Hetimi zbuloi se objekti ishte gjithashtu një vend rekrutimi për migrantët nigerianë, mbajtës të lejeve të qëndrimit të përkohshëm, të përfshirë në aktivitete të paligjshme.
Të arrestuarit akuzohen, në shkallë të ndryshme, për trafik droge, posedim dhe furnizim me lëndë narkotike, zhvatje, armëmbajtje pa leje dhe regjistrim fiktive të pasurisë.
Masa parashikon arrest me burg për 20 persona dhe arrest shtëpiak për 7 të tjerë. Hetimi i kryer nga Karabinierët e Kompanisë Rome Parioli ,me mbështetjen e Drejtorisë Qendrore të Shërbimeve Kundër Drogës.
Sasitë e mëdha të marijuanës importoheshin nga Vlora (Shqipëri) dhe shpërndaheshin në të gjithë Europën, falë një aleance mes grupeve kriminale shqiptare dhe nigeriane.
Organizata transportonte drogën duke përdorur transportin publik.
Mediat italiane, raportojnë se falë bashkëpunimit me policinë lokale dhe mbështetjen e Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale dhe Interpolit, disa arrestime u bënë në Vlorë dhe në provincën e Barcelonës.