Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni është zotuar se do të çojë përpara planin për të deportuar emigrantët e parregullt në kampet e ndërtuara në Shqipëri, i cili është bllokuar aktualisht nga gjyqtarët italianë.
Qeveria e krahut të djathtë të Giorgia Melonit ka ndërtuar dy qendra pritjeje në Shqipëri për të mbajtur emigrantët gjatë procesit të shqyrtimit të kërkesave të tyre për azil, por gjykatat e Romës kanë lëshuar kundër-urdhra të përsëritura, duke kthyer mbrapsht çdo emigrant në Itali.
Gjyqtarët kanë përmendur dyshime mbi përputhshmërinë e skemës me një vendim të fundit nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë (ECJ), e cila vuri në pikëpyetje ligjshmërinë e riatdhesimit të emigrantëve në vendet që mund të mos konsiderohen plotësisht të sigurta. Gjykata e Bashkimit Evropian do të rishqyrtojë çështjen më vonë këtë muaj dhe do të qartësojë pozicionin e saj.
“Shpresa është që GJED do të shmangë rrezikun e rrezikimit të politikave të riatdhesimit jo vetëm të Italisë, por të të gjitha vendeve anëtare të BE,” tha Meloni në një mbledhje të oficerëve të lartë të policisë, shkruan Reuters.
Mbështetësit e qeverisë kanë akuzuar gjyqtarët për sabotim të qëllimshëm të një prej prioriteteve të politikës së Melonit si pjesë e një përplasjeje më të gjerë mbi planet për të reformuar sistemin e drejtësisë, diçka që gjyqësori e ka mohuar.
“Ne jemi të përkushtuar për të gjetur një zgjidhje për çdo pengesë. Qytetarët po na kërkojnë të ndalojmë imigracionin ilegal sepse shkakton pasiguri, mungesë integrimi dhe pamundësi për të garantuar sundimin e ligjit”, tha Meloni në konferencën e policisë.