Mot i ftohtë në Maqedoni, këtë javë parashihen temperatura deri në -13 gradë

Këtë javë vendin e pret mot kryesisht i ftohët, ku temperaturat e mëngjesit do të arrijnë deri në -13 gradë celsius, ndërsa ato ditoret nuk do të arrijnë më shumë se 8 gradë celsius.

Reshje të borës pritet të ketë sot në mbrëmje dhe gjatë ditës së nesërme, por me intensitet më të ulët, ndërsa më së shumti do të përfshihet pjesa veri perëndimore e vendit.

“Temperaturat minimale nesër do të jenë në intervalin prej -5 deri në 1 gradë celsius, ndërsa ditoret do të lëvizin nga -1 deri në 7 gradë. Të mërkurën, do të kemi ulje të vranësirave dhe nuk priten reshje të borës. Pra në periudhën e ardhshme, duke filluar nga e mërkura do të stabilizohet, megjithatë do jetë mot i ftohët, me temperatura të mëngjesit, pra gjatë gjysmës së javës do të kemi temperatura të ulëta çdo kund, do të jenë nën – 10, ndërsa temperaturat ditore do të jenë prej -1 deri në 8 gradë”, tha Lençe Lizova, sinoptike.

Gjatë ditës së sotshme kryeqyteti dhe disa vende tjera të vendit u përshinë nga reshjet e borës. Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjikë, më shumë borë ka në Kodrën e Diellit 29 centimetra, në Mavrovë 7 centimetra, ndërsa në Kriva Pallankë 1 centimetër.

Komunikacioni në vend po zhvillohet në kushte dimërore. Në disa vende ka ulje të dukshmërisë për shkak të mjegullës dhe borës. Rekomandohet përdorimi i pajisjeve dimërore.


Shtuar 17.02.2025 14:46