Flora është një grua e pastrehë në Vlorë që shet gazeta, e cila së fundmi ka treguar historinë e saj të jetës plot sfida dhe kalvarin e vuajtjeve që ka përjetuar ndër vite.
Flora tregon se dita e saj nis herët, që në orën 05:00 të mëngjesit, kur zgjohet me ndihmën e një alarmi, pasi ndryshe lodhja nuk e lejon të ngrihet.
Flora është 60-vjeç dhe thotë se ka 30 vite që pi cigare. Ajo thotë se jeton në një dhomë konvikti dhe policët nuk i ka fobi por i njeh dhe i respekton: “I njoh dhe i kam shokë”, shprehet ajo.
“Jam lindur dhe rritur në Vlorë, te ‘Katër Heronjtë’. Shtëpia ime u bë pallat, por nuk mora asgjë, ishte fati im i keq”, tregon Flora.
Deri në moshën 18-vjeçare jetoi në familjen e saj, por më pas u dërgua në spital me një diagnozë për prapambetje mendore.
“Në vitin 1982, babai më çoi në psikiatri. Nuk dija asgjë për atë vend. Më bënë gjilpërë dhe më vunë në gjumë. Pas një jave u mësova me jetën aty dhe nuk doja të largohesha më”.
Pas një qëndrimi dhjetëvjeçar, ajo doli nga atje në vitin 1992.
“Babai më vizitoi vetëm një herë kur isha në spital. Kur e pyeta pse më kishte çuar aty, më tha se isha e sëmurë. Unë e pyeta: ‘Çfarë kam bërë që e meritoj këtë?’ Por përgjigje nuk mora. Historinë time nuk e di unë, e dinë të tjerët”.
Më pas, Flora u largua për në Greqi për t`u kujdesur për një grua të moshuar, por pas vdekjes së saj u dëbua nga shtëpia ku jetonte.
Flora shprehet se marrëdhëniet e saj me familjen kanë qenë të vështira.
“Vëllezërit dhe motrat nuk erdhën të më takonin. Prindërit më trajtuan keq kur isha fëmijë. Më rrihnin kur isha e vogël, por këtë e mora vesh vetëm kur ma tregoi një fqinje. Që atëherë nuk kam dashur t’i shoh më”.
Përveç sfidave me jetën e përditshme, ajo është përballur edhe me vjedhje dhe mashtrime.
“Një ditë më morën në telefon dhe më thanë se më kishin sjellë një telefon. Ndërsa unë po zbrisja poshtë, një tjetër u ngjit lart dhe më vodhi çantën me të gjitha paratë që kisha mbledhur për tre vjet. Bëra denoncim në polici, por nuk u bë asgjë”, tregoi Flora në Real People.
Flora pranon se nuk ka pasur një jetë të lehtë dhe nuk dëshiron të japë shumë detaje për të kaluarën e saj.
“Jeta ime nuk ka qenë e mirë, kaq mund të them. Nuk kam pasur marrëdhënie të mira me nënën time. Nuk kam dashuruar asnjëherë, nuk e kisha mendjen te dashuria, por te cigarja dhe rakia”.