Pas kthimit nga Gjermania, në një konferencë për mediat, kreu i PD Sali Berisha, deklaroi se udhëtimi i tij drejt Berlinit, ishte udhëtim drejt fitores.
Berisha u shpreh se CDU në Gjermani, pret me padurim fitoren e Partisë Demokratike në Shqipëri. Sipas tij, Konventa e CDU-së tregoi përzemërsi ndaj përfaqësuesve të PD-së.
Sali Berisha: Udhëtimi im drejt Berlinit ishte udhëtim drejt fitores. 32 vite më parë kam qenë në Gjermani, në Bon atëherë dhe takova Helmut Koln. Historia përsëritet. Në atë kohë, pak kohë kishim që kishim dalë nga izolimi komunist, ndërsa tani dola nga izolimi i narko-shtetit.
Atëherë PD fitoi zgjedhjet, këtë herë PD fiton zgjedhjet. CDU pret me padurim fitoren e Partisë Demokratike, dëshirojnë fitoren e forcës tonë politike. Aleatët tanë e kanë të qartë se me PD në pushtet, ka zero flukse trafikimi drejt vendeve të tjera. Gjeta një dashamirësi të pakufijshme.
Fjala e Berishës:
Udhëtimi im drejt Berlinit ishte udhëtim drejt fitores.
Natyrisht unë e kuptoj që ju keni kuriozitet të shpreh opinionin tim për këtë udhëtim, pra, ishte udhëtim drejt fitores.
Një koincidencë shumë interesante, kam qenë kryetar i PD 32 vjet më parë, kur jam nisur drejt kryeqytetit gjerman, në atë kohë ishte Boni, dhe nuk ishte kongresi i CDU-së, ishte një samit i OSBE-së, por Helmut Kohl do të ishte kryeministri i parë që unë do të takoja si politikan disamujor.
Historia përsëritet, në atë kohë pak muaj më parë kishim dalë nga izolimi komunist.
Edhe kësaj herë, pak muaj më parë dola nga izolimi i narkodiktaturës.
Atëherë fitova. Atëherë fituam zgjedhjet, PD fitoi zgjedhjet.
Këtë herë, PD fiton zgjedhjet.
Kjo është esenca.
Dhe unë mund t’u them demokratëve dhe shqiptarëve, se partia më e fuqishme e Europës, presidenti i të cilës merr në pak javë timonin e shtetit udhëheqës të Europës, Friedrich Merz, presin me padurim fitoren e PD.
Dëshirojnë fitoren e kësaj force politike si një forcë me të cilën ndajnë vlera të përbashkëta.