Ditëlindja e parë pa Kadarenë/ Begaj: Krenarë që gjeniu shqiptar i letrave ka zënë një vend të nderuar në panteonin e letërsisë botërore

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, vlerësoi veprën e shkrimtarit Ismail Kadare, si një dëshmi për lashtësinë e shqiptarëve dhe identitetin evropian.

Në një mesazh në ditën e lindjes së shkrimtarit Iamail Kadare, i cili u nda nga jeta vitin e kaluar, Presidenti Begaj shprehet: “Kadare do të jetojë për t’i treguar botës mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, dramën historike, krenarinë dhe vitalitetin e kombit tonë”.

Begaj thotë se me prozën dhe poezinë e vet, Kadare i prezantoi botës autenticitetin dhe lashtësinë e ekzistencës sonë kombëtare.

Begaj: Sot, në datëlindjen e parë të Ismail Kadaresë pas ndarjes së tij nga jeta, ne ndihemi krenarë që gjeniu shqiptar i letrave ka zënë një vend të nderuar në panteonin e letërsisë dhe kulturës botërore.

Me prozën dhe poezinë e vet, ai i prezantoi botës autenticitetin dhe lashtësinë e ekzistencës sonë kombëtare. Kadare dëshmoi në çdo faqe të veprave të tij forcën titanike, sakrificat dhe përkushtimin e popullit tonë për të qenë pjesë e kulturës evropiane dhe botës progresiste.

Për aq kohë sa lexuesit në mbarë botën do të vijojnë të lexojnë librat e tij, Kadare do të jetojë për t’i treguar botës mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, dramën historike, krenarinë dhe vitalitetin e kombit tonë.


Shtuar 28.01.2025 09:46