EMRAT/ Lejuan ndërtimet pa leje, pezullohen kreu i IMT dhe inspektori në Bashkinë Roskovec, u caktohet masa detyrim paraqitje

Kreu i IMT, Enea Çepele dhe inspektori, Sali Musta pranë Bashkisë Roskovec janë pezulluar nga detyra, pasi lejuan ndërtime pa leje dhe shpërdoruan detyrën.

Ndaj tyre u caktua edhe masa ‘detyrim paraqitje’ në policinë gjyqësore.

Nga hetimet e kryera nga kjo prokuroria e Fierit, në kuadër të procedimit penal nr.1418, datë 16.09.2024, për veprat penale të dyshuara “Shkelja e rregullave te mbrojtjes në punë”, “Shpërdorimi i tokës”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 289 pg.1 199, 199/a pg.4 dhe 248-25 i K.Penal, rezultoi se Çepele dhe Musta kanë qenë në dijeni të kryerjes së ndërtimeve të paligjshm.

Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për një ndërtim pa leje në Suk 1, ku vdiq një punëtor më 14 shtator 2024.

‘Procedimi penal i mësipërm lidhet me ngjarjen e datës 14.09.2024, ku në fshatin Suk-1, Njësia Administrative Strum, Bashkia Roskovec, ka humbur jetën shtetasi S.B., gjatë kohës që ai kryente punime për llogari të shtetasit E.D. Ndaj shtetasit E.D, u caktua më parë masa e sigurimit “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprën penale “Shkelja e rregullave te mbrojtjes në punë”, “Shpërdorimi i tokës”.

Krahas këtyre veprave, në dinamikë të hetimit u provua se shtetasi E.D, ka kryer ndërtim pa lejen e organeve kompetente.

Për këtë fakt të evidentuar është regjistruar ndaj tij si person nën hetim dhe vepra penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a pg.4’, njoftoi prokuroria sot.

Prokuroria gjithashtu, ka arritur të evidentojë faktin se Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Roskovec, ka qënë në dijeni dhe ka lejuar kryerjen e punimeve pa leje, në një sipërfaqe rreth 320 m2, mbi tokë bujqësore, për qëllime ekonomike dhe pa lejen e organeve kompetente, në këtë rast Bashkia Roskovec.


Shtuar 25.01.2025 11:21

Tags: ,