Ambasadori i ri italian mbërrin në Tiranë, Presidenti Begaj pranon letrat kredenciale të Marco Albertit

Këtë të premte, presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti Ambasadorin e ri të Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, i cili dorëzoi letrat e tij kredenciale.

Presidenti Begaj, shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucioneve shqiptare për të mbështetur Ambasadorin Alberti, në përmbushjen e mandatit të tij diplomatik në Tiranë.

Gjatë takimit, u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë, me fokus në thellimin e partneritetit strategjik të bazuar në lidhjet historike, ekonomike dhe kulturore.

Gjithashtu, presidenti Begaj, theksoi intensitetin dhe frymën pozitive të dialogut politik ndërmjet dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh si aleatë në NATO dhe si vende që ndajnë të njëjtën aspiratë për integrimin evropian.

“Kontaktet tona të shpeshta pasqyrojnë përkushtimin për forcimin e lidhjeve tona strategjike, bazuar në interesat e përbashkëta si partnerë të NATO-s dhe si vende që synojnë një të ardhme të përbashkët në BE”, deklaroi Begaj.

Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke vlerësuar rolin proaktiv të Romës në promovimin e zgjerimit të BE-së.

Gjatë bisedës, u diskutua edhe për rolin e arbëreshëve të Italisë si urë lidhëse historike dhe kulturore mes dy vendeve.

Presidenti vuri në dukje përpjekjet e arbëreshëve për të ruajtur identitetin e tyre ndërsa kontribuojnë në forcimin e lidhjeve shqiptaro-italiane.

Gjithashtu, u vlerësua integrimi i shqiptarëve në Itali gjatë tri dekadave të fundit, si dhe kontributi i biznesit italian dhe shkëmbimeve turistike në marrëdhëniet mes dy vendeve.


Shtuar 24.01.2025 14:41