Ditën e sotme, opozita ka protestuar para Bashkisë së Tiranës, ku ka mbajtur protestën e 43-të kundër Erion Veliajt.
Eksponentë të opozitës dhe qytetarët, kanë kërkuar sërish largimin e Erion Veliajt dhe vendosjen e tij para drejtësisë për inceneratorin e Tiranës, dosjen “5D” dhe për hetimet e fundit të nisura nga SPAK ndaj tij.
Në fillim të tubimit, ka patur një përplasje mes protestuesve me Policinë dhe drejtuesit e automjeteve ë po kërkonin të kalonin në rrugën pranë godinës së Bashkisë, pasi ndryshe nga protestat e vitit të kaluar, tashmë uniformat blu nuk e bllokojnë më Qarkullimin në këtë aks dhe të marrin masa për devijimin e trafikut.
Një nga qytetarët ka zbritur nga urbani duke u konfliktuar me protestuesit, teksa më pas në debat janë përfshirë edhe qytetarë të tjerë në autobus, duke kërkuar lirimin e rrugës, por me ndërhyrjen e Policisë situata u qetësua.
Drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi, gjatë fjalës së mbajtur në protestë, deklaroi se Erion Veliaj brenda dy javësh ka shkuar tre herë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me paratë publike të qytetarëve, ku sipas tij, nuk ka asnëj foto, axhendë apo informacion se ku ka shkuar.
Këlliçi akuzoi SPAK-un se po i jep kohë Erion Veliajt për të gjetur azil politik, duke mos lëshuar masë sigurie ndaj tij.
“Faleminderit të gjithë protestuesve për protestën e 43-të, një protestë rekord që i shërben qytetarëve të Tiranës, për të bërë diferencën midis Partisë Demokratike, midis një force politike që është me qytetarët çdo ditë ne rrugë e sheshe e kudo, dhe një bande dhe një grup i strukturuarkcriminal, që sot quhet pareti socialiste. Është ajo parti që nuk mund të jetë më, një forcë politike që ka në burg ministra, deputetë e drejtorë të lartë të administratës, drejtorët të dënuar për përdhunim në grup, për vjedhje e hajduta vilash e xhepash, nuk mund të jetë më një parti politike.
Ndaj, të dashur miq qytetarë e demokratë, buzëqeshni sepse ajo periudhë e artë që ka nisur në SHBA me presidentin Trump do të nisë dhe në Shqipëri në datën 12 maji, kur PD t’i fitojë zgjedhjet për të mirën e vendit dhe Shqipërisë, jo për interesa të PD, po për të gjithë shqiptarë. Çdo ditë marim mesazhe nga socialist, punonjës që janë në bashki që detyrohen të firmosin praktika korruptive për të mbajtur punën dhe fëmijët e tyre me bukë, për të çuar rrogën në fund të muajt në shtëpi.
Ndërkohë që Veliaj, një hajdut i shpërfytyruar vjedh çdo ditë taksa të qytetarëve pa ju dridhur qerpiku dhe me lejen e plotë nga kolëget e tij në SPAK, apo forumi rinor i PS që është tek SPAK. Erion Veliaj para dy ditësh është ktheyr nga një vizitë në SHBA, dhe presupozohet që brenda dy javësh ka shkuar 3 herë dhe si ka mundësi që për të dytën herë nuk ka asnëj foto, axhendë apo informacion se ku ka shkuar kreu i 5D. Mos harroni, është person publik, është kryebashkiak i cili shkon me para publike me paratë tona shkon në amerikë për interesa personale dhe asnjë e dhënë nuk bëhet publike. Kjo sepse SPAK po i jep kohë për të shkuar për të gjetur azil politik, por ne nuk do e lëmë, ne do e vijmojmë betejën tonë më të fortë se kurrë dhe për vjedhjen që ke bërë, të pashembull në këtë qytet, ti do të ndëshkohesh si as edhe një njeri më para në historinë politike të Shqipërisë”, – tha Këlliçi.
Ndërkohë, anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti, u shpreh se Erion Veliaj duhej arrestuar sapo doli nga SPAK, pasi kërkoi në gjendjen civile personin që e kishte denoncuar, me qëllim që të prishte provat.
Sipas tij, Rama nuk e ka lëshuar ende Veliajn, pasi edhe ky i fundit ka dosje për kryeministrin.
“Erdhi në këshillin e fundit të vitit të kaluar, i freskët nga SPAK Erion Veliaj dhe erdhi e tha do flas para këshillit bashkiak. Këshilli nuk është një vend ku ai të bëjë rrëfime dhe ta përdorë për veten e vet. Të bëjë çtë dojë, në konferencë apo vend tjetër. Aty është vendi për të folur për Tiranën dhe problemet e qytetarëve të Tiranës dhe nuk ka problem. Foli, por çfarë na tha; na tha praktikisht me një zë, se pse nuk po më arrestoni tani në moment. Ja tha SPAK-ut, ja tha shtetit, medieve, të gjithave. Shkoi dhe tha një emër, a e mbani mend atë Nesti Angonin. Pra ky si kryetar bashkie në detyrë, gjëja e parë që bëri sapo doli nga SPAK, kontrolloi gjendjen civile për të gjetur dëshmitarin që i paska dërguar këto letra.
Për ca e kërkoi dëshmitarin, për ti thënë faleminderit, apo për të prishur provat. Ai në atë moment i thotë shtetit, hapeni këtë derëm më arrestoni se unë po tentoj të prish provat dhe po përdor këtë platformë publike që është Këshilli Bashkiak për të treguar se, unë dua ti prish provat. Të jetë i qetë, nuk e ka Nesti Angonin mes jush, se ne nuk jemi anonim, jemi përballë. E ka brenda vetes. Thotë popullit ‘e njeh shejtani, lugatin’. E di shumë mirë se kush po ja bën, se kush po ja heq njerëzit një e nga një. E di shumë mirë një VKM 784. Doli në 18 dhjetor të vitit të kaluar, 2024, pasi kishin nisur këto hallet e mëdha këtij zotërisë. Praktikisht qeveria, Balluku i merr gjithë lejet e ndërtimit edhe Tiranës. E zhveshën edhe nga detyrat.
E gjithë Tirana tani duhet të shkojë të marrë leje përpara tek Balluku, tek ai Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit. Pse e bën këtë, për ta vendosur në cep, për ti hequr çdo fuqi, çdo njeri. E ka hequr nga fushata e ka hequr nga gjithçka. E vetmja arsye pse e mban aty, është se ky ka dosje për këta të tjerët dhe shkojnë me emra anonimë. Mbajnë njëri-tjetrin nën këtë rrisk dhe kërcënim që edhe unë kam dosje për ty dhe ti ke dosje për mua. Qeverisemi nga një tufë shenjtash dhe lugatash dhe deri sa ti largojmë këta, nuk gjen paqe ky vend”, – deklaroi Ilir Alimehmeti.