Detaje të reja kanë dalë në dritë, lidhur me ngjarjen e rëndë të 12 Janarit në Tiranë, ku u ekzekutua biznesmeni Bujar Nasufi.
Raportohet se pas këqyrjes së shumë kamerave të sigurisë, ka rezultuar se autori është nisur nga një lagje e Kombinatit për në Selitë e vogël, aty ku edhe ekzekutoi 57-vjeçarin Bujar Nasufi.
Nga hetimet e kryera, ka rezultuar e ka pritur mbi 15 minuta Bujar Nasufin, i fshehur në një rrugicë pranë banesës së 57-vjeçarit.
Policia dyshon se autori e njihte shumë mirë zonën, pasi në çdo lëvizje që ka bërë nuk ka përdorur rrugën kryesore, por vetëm rrugica alternative.
Edhe kur është larguar autori i dyshuar me motor, ka përdorur një rrugicë shumë pranë vendit ku kreu ekzekutimi për t’u larguar dhe më pas ka dalë në kodër Sharrë ku dogji motorin, shumë pranë zonës nga ku u nis, Kombinati. Grupi hetimor vijon ende me këqyrjen e kamerave të sigurisë.
Ndërkohë dy ditë më parë, janë rimarrë në pyetje sërish familjarët e të ndjerit, ku janë pyetur lidhur me konfliktet e mundshme që mund të ketë pasur viktima.
Policia po i heton të gjitha pistat, por pista kryesore vijon të jetë ajo e konflikteve për motive pronësie.