Përkeqësimi i situatës ka bërë që të ndalohet lëvizja edhe për autobuzët në Kapshticë drejt Greqisë. Policia Kufitare Greke ka njofutar Policinë Kufitare të Kapshticës se, përveç bllokimit të lëvizjes së kamionave, ndalohen edhe autobuzët, deri në një njoftim të dytë.
Ndërkohë, bëhet me dije se do të lejohet vetëm kalimi i makinave të pajisura me goma dimërore dhe me zinxhirë.
“Në vijim të njoftimit të dhënë më parë, ku Policia Kufitare Greke, ka njoftuar Policinë Kufitare të Kapshticës për bllokimin e lëvizjes së kamionëve, ju informojmë se: Përveç bllokimit të lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë (kamionë), do të ndalohet lëvizja deri në një njoftim të dytë dhe për autobuzët.”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë vendore.
Fillimisht, autoritetet përkatëse njoftuan ditën e sotme, se nga ora 17:00 e datës 12 janar 2025 dhe deri në një njoftim të dytë, nuk do të lejohet lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë (kamionë).