Rama bën sërish ndryshime, Shalsi shkon drejtues në qarkun e Kukësit, Majko caktohet në Tiranë

Lista e drejtuesve të Partisë Socialiste, vazhdon të pësojë ndryshime, pas çdo mbledhje që kryesocialisti Edi Rama, bën me drejtuesit e qarqeve dhe Kryesinë e PS-së.

Burime bëjnë me dije se në mbledhjen e sotme, kryeministri Edi Rama, ka njoftuar largimin e Pandeli Majkos si drejtues politik nga Qarku i Kukësit dhe zëvendësimin e tij me Eduard Shalsin.

Mësohet se Majko është sjellë sërish në Tiranë, për të kontribuar për PS-në në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

Nuk dihet nëse ky vendim ka lidhje me ndonjë “krisje” të re të marrëdhënieve mes Edi Ramës dhe Pandeli Majkos, njësoj si para zgjedhjeve të vitit 2021, ku Rama e çoi Majkon të 19-tin në listën e kandidatëve për deputetë dhe për rrjedhojë humbi mandatin, të cilin e rimori pas dorëheqjes së Alqi Bllakos, i cili u prangos për çështjen e inceneratorëve.

“Krisja” e marrëdhënieve në vitin 2021, u konfirmua nga Majko edhe në një intervistë televizive pak kohë më parë, ku deklaroi se i kishte ardhur shpirti në majë të hundës nga brekushet dhe atletet e Ramës, por sipas tij, më mirë të vazhdojë Rama në pushtet se sa një grup që nuk dihet se çfarë do bëjë.

Ndërkohë, vlen të theksohet fakti se në Tiranë, Rama caktoi fillimisht vetëm Ogerta Manastirliun, Elisa Spiropalin dhe Erion Veliajn, teksa më pas shtoi edhe Blendi Gonxhen, teksa tashmë i shtohet edhe Majko.

Mësohet se gjatë mbledhjes së sotme të socialistëve, fokusi i diskutimeve ka qenë sërish vota e Diasporës, ku Rama ka kërkuar “listat” që të jenë gati, para se të nisë regjistrimi në aplikacionin e KQZ-së.

Ndërkohë, pas përfundimit të mbledhjes, Rama ka qëndruar vetëm me kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropalin, ku kanë bërë një bisedë “kokë më kokë” dhe më pas janë larguar sërish të dy bashkë.


Shtuar 6.01.2025 12:18