Zaev: Kuvendi do të shpërndahet, zgjedhjet do të mbahen më 12 prill

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev sot u shpreh se ligjet do të miratohen dhe se Kuvendi në kohë do të shpërndahet në mënyrë që zgjedhjet e parakohshme kuvendare të mbahen më 12 prill.

“Kuvendi nuk guxon të lejojë lojëra. Në fund të diskutimit të deputetëve duhet të votohet. Mund të ketë shumicë prej dy të tretave, mund edhe të mos ketë, por është e ndershme të japim mundësi që të votohen këto ligje të rëndësishme”, tha Zaev, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Ai u shpreh se është i lumtur që Kuvendi sot vazhdoi me punën duke falënderuar Xhaferin dhe të gjithë deputetët për fleksibilitetin e tyre.

“Besoj se në pajtim me rregulloren do të përfundojë diskutimi mbi këto ligje dh do të votohet dhe më pas do të shpërndahet Kuvendi”, tha Zaev.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, Zaev tha se koalicioni me BDI-në po funksionon.

“Natyrisht që nga sekretari i Përgjithshëm të partisë dërguam mesazh për përgjegjësi para shtetit. Qëllimi ynë i vetëm është që para shpërndarjes së Kuvendit të jepet mundësi për ligjet, jo vetëm për ligjet me shumicë prej dy të tretave, Kodi Zgjedhor, shkarkimi i ministres së Punës dhe Politikës Sociale dhe disa ligje të tjera”, tha Zaev.

Në pyetjen nëse ka bisedime me parti të tjera për koalicion të ri, Zaev thotë se tani për tani ka biseda vetëm me partnerët standard të koalicion dhe me disa parti që s’kanë qenë në koalicion.

“Kemi bisedime. Besoj se do të kemi rezultate përfundimtare krahas analizave që i bëjmë”, tha Zaev.


Shtuar 14.02.2020 14:43