Ursula von der Leyen fshin videon pas kritikave për paraqitjen e Kosovës si pjesë të Serbisë

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është përballur me një valë kritikash nga miqtë e Kosovës pas publikimit të një videoje ku u uronte mirëseardhje Rumanisë dhe Bullgarisë në zonën Schengen.

Në video, Kosova ishte paraqitur si pjesë e Serbisë, çka shkaktoi zemërim të madh në rrjetet sociale.

Reagimet e shumta përfshinë qytetarë, aktivistë dhe figura publike, ndër të cilët edhe politikania e njohur gjermane, Doris Pack. “Ku është shteti i Kosovës?” e pyeti Pack bashkëvendësen e saj, Von der Leyen, duke reflektuar zemërimin e shumë të tjerëve.

Pas kritikave të shumta dhe presionit publik, videoja kontestuese u hoq nga profili i saj në platformën X (ish-Twitter), duke lënë të kuptohet se reagimi i ashpër i kishte arritur qëllimin.

 


Shtuar 2.01.2025 17:31