Akuzohen si spiunë të Rusisë, dalin para drejtësisë tre shtetasit bullgarë në Britani

Katrin Ivanova, Vanya Gaberova, dhe Tihomir Ivanchev i mohojnë akuzat për spiunazh dhe bashkëpunim në rrjet, përfshirë një agjent rus me pseudonimin Richard Ticz.

E ndaluara Katrin Ivanova i ka hedhur poshtë akuzat se mbante dokumente të falsifikuara identiteti. Në hapje të gjykimit në Londër, prokurorja Alison Morgan tha se dy individë të tjerë, Orlin Roussev dhe Bizer Dzhambazov, kishin pranuar se ishin pjesë e rrjetit të spiunazhit.

“Ndërmjet viteve 2020 dhe 2023, të pandehurit, në bashkëpunim me një numër tjetër individësh, spiunuan për Rusinë”, tha prokurorja.

Të martën, Rusia dëboi një diplomat britanik të cilin e akuzoi për spiunazh. Në tetor, shefi i zbulimit të Mbretërisë së Bashkuar i akuzoi shërbimet ruse të zbulimit se kërkonin të shkaktonin “kaos”.


Shtuar 28.11.2024 17:02

Tags: