Gjykata e Posaçme, ka dënuar me 18 vite burg Talo Çelën, për grabitjen e miliona eurove në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, ngjarje e ndodhur më 9 Prill të vitit 2019.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kërkuar 19 vite burg për Talo Çelën, ndërsa GJKKO, ka marrë vendimin për dënimin me 18 vite.
Aktualisht, Talo Çela ndodhet në kërkim nga autoritetet shqiptare dhe gjykimi për të u bë në mungesë dhe i ndarë nga pjesa tjetër e grupit.
Për ngjarjen e grabitjes spektakolare të 4.6 milionë euro në prill të vitit 2019, Gjykata e Posaçme ka dënuar në Tetor 2023 me 122 vite burgim për 7 të pandehurit e grupit kriminal.
Numri dy i bandës, Klement Çala, do të qëndrojë pas hekurave për 20 vite, ndërsa për gjashtë të tjerët të arrestuar për grabitjen: Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Cela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala, trupa gjykuese dha nga 17 vite burg për secilin.
Dënimet janë më të ulëta se ato të pretenduara nga Prokuroria e Posaçme, e cila për Klement Çalën kërkoi 24 vite burg, ndërsa për gjashtë të pandehurit e tjerë nga 19 vite.
ROLI I TALO ÇELËS NË GRABITJE
Talo Çela, u akuzua se kishte ndihmuar në modifikimin e furgonit të përdorur me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, me qëllim që të futej lehtësisht në pistën e Rinasit, ku ndodhi edhe grabitja.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe vëllezërit Viktor dhe Besimir Haxhia, ku njëri prej tyre, konkretisht Viktori dyshohet se mori pjesë në modifikimin e furgonit.
GRABITJA
Ishte data 9 prill e vitit 2019, ku në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, vodhën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, u tha se mbeti i vrarë “koka” e grupit, Admir Murataj.
Vëllezërit Klement dhe Eldi Çala, janë arrestuar më 19 mars, vetëm 1 vit pas grabitjes spektakolare të aeroportit të Rinasit.
Për kapjen e Klement Çalës, Policia vuri 10 mijë euro shpërblim për këdo që jepte informacion për të. Gjithashtu, atyre iu sekuestrua edhe pasuria, apartamente dhe troje.
Për grabitjen, Prokuroria mundi të siguronte dëshminë e njërit prej të arrestuarve, i cili në fakt nuk u favorizua në masën e dënimit që u dha për të, duke e lënë në të njëjtën masë si gjithë pjesën tjetër të grupit.
Alkond Bengasi pranoi të rrëfente për grabitjen dhe personat e përfshirë, ndërkohë që pjesa tjetër e grupit nuk ka pranuar asnjëherë të kenë marrë pjesë në grabitje.
Në fakt, me ato para janë të lidhura, sipas prokurorisë një mori vrasjesh me disa viktima dhe madje konsiderohet edhe si shkaku që çoi në armiqësi të fortë Talo Çelën me Nuredin Dumanin./B.News