Më 23 tetor 2023, emisioni “Stop” në Tv Klan raportoi një rast shqetësues lidhur me stomatologun David Todri.
Ai kishte vendosur implante dentarë në gojën e një shtetasi italian, i cili pas një kohe përjetoi probleme me to. Kur italianit iu shfaqën komplikime, Todri jo vetëm që nuk e ndihmoi për të zgjidhur problemet, por e ofendoi dhe nuk i dha një zgjidhje.
Pas transmetimit të rastit, USSH (Unioni i Stomatologëve të Shqipërisë) mori masa, duke i pezulluar licencën Todrit për një vit në degën Fier. Por sapo pezullimi ka mbaruar, Todri i është rikthyer “punës”.
Rasti është përsëritur me një paciente nga Korça, Valentina Alushi. Ajo kishte paguar për gjashtë implante dentarë, por dy prej tyre ranë brenda disa ditësh. Todri e kishte zëvendësuar njërin, por edhe ai nuk mbajti duke rënë.
Valentina, që ka shpenzuar gjithsej 1800 euro, tani ka vetëm tre implante. Më pas Todri i ka vënë një urë-protezë që kushtonte 100 mijë lekë të vjetra, por ia shiti për 1 mijë e 200 euro.
Megjithatë, kjo protezë nuk qëndronte në gojë, duke i shkaktuar probleme. Valentina nuk mund të hante, të pinte, dhe madje pati vështirësi edhe në të folur. Kur kërkoi ndihmë, Todri i tha se do të “mësohej” për ta përdorur dhe i dha një afat 7-ditor, por kjo nuk ndodhi.
Përfundimisht, Valentina thotë se ka shpenzuar plot 3000 euro dhe ende nuk ka dhëmbë në gojë.