Vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë, Manastirliu: Dhimbja jonë sot e paimagjinueshme!

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka reaguar lidhur me vdekjen tragjike të 14-vjeçarit, i cili u konfliktua me bashkëmoshatarët e tij jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë.

14-vjeçari humbi jetën pas një sherri me thika me bashkëmoshatarë të tij, konflikt i ndodhur jashtë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet mesditën e sotme.

Adoleshenti u dërgua në spital, por nuk arriti të mbijetojë duke humbur jetën.

Nga foltorja e Kuvendit, Manastirliu tha se ndihet thellësisht e tronditur për ndarjen nga jeta e 14-vjeçarit, ndërsa theksoi se parlamenti dhe deputetët duhet të promovojnë vlerën e respektit te njëri-tjetri, për t’i dhënë shembullin të rinjve.

“Sot ndihem thellësisht e tronditur për nga humbja tragjike e jetës e një 14-vjeçari jashtë ambienteve të shkollës Fan Noli. Një jetë e re e humbur në mënyrë të parakohshme dhe tragjike ndërkohë që policia po zbardh rrethanat e ngjarjes dhimbja është vërtetë e madhe e prindërve. Dhimbja e komunitetit, e jona, e imja personale është e paimagjinueshme dhe është një ngjarje nga e cila duhet të reflektojmë, na fton se si përfaqësues të qytetarëve këtu në këtë sallë të angazhohemi edhe më shumë për një mjedis më të sigurt dhe më te mbrojtur për fëmijët tanë, duke luftuar në çdo formë dhunën e të gjitha formave. Por nga ana tjetër edhe ne kemi rolin tonë në këtë seancë dhe në këto seanca të cilat mbajmë. E para të jemi shembull të promovojmë vlerat e respektit për njëri tjetrin, të mos ketë gjuhë urrejtjeje duke filluar nga kjo sallë se ne jemi edhe modeli për fëmijët tanë. Çdo fëmijë në Shqipëri është fëmija ynë ndaj është detyra jonë e përbashkët që të kujdesemi”,-tha Manastirliu.


Shtuar 18.11.2024 16:12