58-vjeçari Luan Taragjini është arrestuar në Gramsh pasi rezulton i dënuar me 10 vjet burgim për tentativë vrasjeje. Në shtator të vitit 2017, Luan Taragjini ka tentuar të vrasë me armë gjahu një person në fshatin Lenie.
Ai ishte shpallur në kërkim kombëtar pasi Gjykata e Apelit e Tiranës, me vendimin e datës 21 tetor 2024, e ka dënuar me 10 vite burg për veprën penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Wanted”, për kapjen e një shtetasi në kërkim kombëtar. I dënuar me 10 vjet burgim për tentativë vrasjeje, kapet dhe vihet në pranga 58-vjeçari.
Strukturat hetimore të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në inteligjencën informative mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, në bashkëpunim edhe me shërbimet e Forcës Operacionale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Wanted”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në Gramsh shtetasin Luan Taragjini, 58 vjeç, banues në fshatin Grabovë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin e datës 21.10.2024, e ka dënuar me 10 vite burg për veprën penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë.
Shtetasi Luan Taragjini, në shtator të vitit 2017, në fshatin Lenie, ka tentuar të vrasë me armë gjahu shtetasin L. T. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.