Izraeli godet me sulme ajrore Libanin dhe Sirinë

Izraeli goditi sot me sulme ajrore disa pjesë të Libanit dhe Sirisë. Sulmet në lagjet periferike të Bejrutit, që kontrollohen nga Hezbollahu dhe në qytetin Baalbek, në pjesën lindore të Libanit, shkaktuan vdekjen e të paktën 13 personave.

Ndërkohë sipas mediave siriane, sulmet izraelite goditën edhe lagjet në periferi të kryeqytetit Damask dhe zonat përgjatë kufirit mes Libanit dhe Sirisë.

Sulmet u zhvilluan ndërkohë që në Bejrut po qëndron këshilltari i udhëheqësit suprem të Iranit dhe mes njoftimeve se Shtetet e Bashkuara u kanë dorëzuar palëve një projekt-propozim për armëpushim.

Izraeli goditi të premten periferinë e Bejrutit me sulme ajrore pas urdhrit për evakuim të banorëve.

Sulmet, fillimisht me raketa të lëshuara me dronë dhe pastaj aeroplanë, rrafshuan një ndërtesë pranë zyrave administrative në një zonë që, sipas Izraelit, ishte i pranishëm grupi militant Hezbollah, i cili mbështetet nga Irani.

Ekipet e shpëtimit po kërkonin për viktimat e sulmit izraelit, që ndodhi gjatë natës ndaj një qendre të mbrojtjes civile në qytetin lindor Baalbek, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 13 punonjësve dhe vullnetarëve të qendrës, sipas autoriteteve libaneze.

Izraeli akuzon Hezbollahun se shfrytëzon ambulancat dhe qendrat mjekësore për transportimin dhe ruajtje e armëve.

Sipas mediave siriane, sulmet izraelit goditën të premten edhe periferinë e Damaskut, ndërkohë që ushtria izraelite njoftoi se kishte sulmuar rrugët përgjatë kufirit të Sirisë dhe Libanit, që sipas tyre shfrytëzoheshin për t’i dërguar Hezbollahut armë.

Sulmet e Izraelit në Damask ndaj lagjeve të banuara me komandantët e Hezbollahut, ata të Rojës Revolucionare të Iranit dhe drejtuesit e Hamasit dhe grupeve tjera militante palestineze shkaktuan vdekjen e 15 personave.

Sipas autoriteteve izraelite, këto sulme kishin për objektiv qendrat ushtarake dhe selinë e grupit militant palestinez, Xhihadi Islamik.

Sulmet e fundit kryhen në një kohë kur ka njoftime për vazhdimin e përpjekjeve diplomatike për të arritur një armëpushim që do t’i jepte fund luftës ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut.

Sipas burimeve të agjencisë Reuters, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Liban i dorëzoi një projekt-propozim për armëpushim kryetarit të kuvendit të Libanit, Nabih Berri, i cili është i mbështetur nga Hezbollahu të negociojë.

Ky projekt-propozim është i pari në formë të shkruar në javët e fundit, që Uashingtoni u ofron palëve për t’i dhënë fund luftës ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut.

Ambasada amerikane në Liban nuk i konfirmoi këto zhvillime.

Ndonëse përmbajtja e propozimit amerikan nuk është bërë e ditur, një zyrtar libanez i tha agjencisë Associated Press se projekt-propozimi amerikan synon një marrëveshje bazuar në rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1701 që i dha fund luftës së vitit 2006 ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut.

Këshilltari i udhëheqësit suprem të Iranit Larijani qëndroi të premten në Bejrut për takime me zyrtarët libanezë, nga të cilët, siç tha ai, kishte marrë “sqarimet e duhura”.

“Republika Islamike e Iranit mbështet Libanin dhe zyrtarët libanezë në çdo situatë dhe në veçanti në rrethanat aktuale kur regjimi zionist e ka vendosur shtetin libanez në një situatë të vështirë”, deklaroi ai.

I pyetur nëse vizita e tij ka për qëllim të minojë projekt-propozimin amerikan, Larijani deklaroi:

“Nuk po mundohemi të sabotojmë asgjë. Po mundohemi të zgjidhim probleme. Do ta mbështesim popullin libanez në çdo rrethanë. Netanyahu dhe turma e tij janë ata që po prishin punë”, shtoi ai.

Irani është mbështetësi kryesor i Hezbollahut dhe njëkohësisht furnizuesi dhe financuesi i grupit militant që vepron në Liban.

Sipas Bankës Botërore, në 13 muajt e konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, kostoja e dëmeve fizike dhe humbjeve ekonomike në Liban ka kapur shifrën e 8.5 miliardë dollarëve.

Sipas autoriteteve libaneze, konflikti ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut ka shkaktuar vdekjen e 3,380 personave.


Shtuar 15.11.2024 16:30