Përmes një deklarate për mediat, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka prezantuar 12 drejtorët e rinj të Policisë së Shtetit, në Drejtoritë e Qarqeve të emëruar nga kryepolici Ilir Proda.
Në krye të Policisë së Tiranës, është emëruar Elton Alushi, teksa në krye të Policisë së Durrësit, është emëruar ish-kreu i Operacionales, Vilson Balla. Nga “xhaketat e vjetra”, i vetmi që ka mbetur është Skënder Hita, i cili transferohet nga Policia e Durrësit në atë të Fierit.
Drejtorët e rinj u emëruan nga kryepolici Ilir Proda, pas dorëzimit të listë me 15 emra nga Komisioni i Vlerësimit të Aplikimeve, që kishin arritur të merrnin mbi 70 pikë. Nga lista e dorëzuar janë emëruar drejtorë 11 emrat e renditur në krye, si dhe Skënder Hita i renditur i 15-ti.
Ndërsa, nga lista me 15 kandidatët e kualifikuar nga komisioni nuk janë përzgjedhur nga Proda, emrat e Gazment Shehut, Gjovalin Lokës, dhe Tonin Vocaj, i cili deri më sot mbante postin e kryepolicit të Tiranës.
Ministri Hoxha, teksa iu uroi suksese drejtorëve të rinj, ju kërkoi që të kenë një qasje më proaktive ndaj ankesave të qytetarëve, por edhe shqetësimeve dhe problematikave që media ngrenë.
“Ju kërkoj drejtuesve të rinj të policisë të kenë një qasje më proaktive ndaj ankesave të qytetarëve, por edhe shqetësimeve dhe problematikave që media ngre duke i trajtuar me seriozisht dhe paanshmëri”, u shpreh Hoxha.
LISTA:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë – Elton Alushi
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës – Vilson Bala
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan – Fatmir Hoxha
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër – Fatmir Lleshaj
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë – Altin Mena
Drejtoria Vendore e Policisë Kukës – Gentian Berberi
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër – Artion Duka
Drejtoria Vendore e Policisë Fier – Skënder Hita
Drejtoria Vendore e Policisë Berat – Luigj Vathi
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë – Elidon Çela
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë – Erion Ahmeti
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër – Altion Merizaj