Rikthimi historik i Trump në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i zgjedhur takohet me Biden

Presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump ka mbërritur pak minuta më parë në Shtëpinë e Bardhë për takimin e tij me Presidentin aktual, Joe Biden.

Të dy do të ulen në Zyrën Ovale për të diskutuar privatisht për tranzicionin e pushtetit dhe tema të tjera. Sipas BBC, Trump i ka thënë Biden se politika është “e ashpër” përpara se ta falënderojë atë për një tranzicion të qetë të pushteti.

“Unë e vlerësoj shumë një tranzicion që është kaq i qetë, do të jetë aq i qetë sa mund të bëhet”, thotë Trump.

Vizita e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë sot, me ftesë të Presidentit Joe Biden, është një rikthim në traditën që u shmang në vitin 2020, kur Trump ishte presidenti në largim dhe Biden ishte presidenti i zgjedhur. Në atë kohë, Trump nuk pranoi që ai i humbi ato zgjedhje, duke bërë pretendime të rreme për mashtrim zgjedhor, një pretendimi të cilin ai nuk e ka ndryshuar.

Trump theu traditën dhe nuk e ftoi Biden në Shtëpinë e Bardhë për t’u takuar gjatë asaj periudhe tranzicioni. Përkundrazi, në ditën që fitorja e Biden do të certifikohej në Kongres, Trump mbajti një tubim ku u tha mbështetësve të tij që të “luftonin si ferr” përpara trazirave në Kapitol. Ai më pas anashkaloi ceremoninë e inaugurimit të Biden në janar 2021, në një tjetër shkëputje nga norma.

Katër vjet më vonë, Biden e ka ftuar Trumpin për një takim në Zyrën Ovale në një kthim në traditë, duke thënë se ai është i përkushtuar për “një transferim paqësor të pushtetit”, pavarësisht fjalëve shpesh të ashpra të dy presidentëve ndaj njëri-tjetrit.


Shtuar 13.11.2024 17:41