Opozita ka nisur aktin e dytë të mosbindjes civile, duke bllokuar nyjet kryesore të rrugëve të vendit për atë që e quan një përpjekje që nuk do të ndalet deri në “gjunjëzimin e regjimit të Edi Ramës”.
Mirëpo, me bllokimin e rrugëve kanë ardhur dhe “përplasjet” e para mes qytetarëve që dëshirojnë të kalojnë rrugën me mjetet e tyre për të shkuar në destinacion, me protestuesit opozitarë që nuk pranojnë të lirojnë rrugën. Një situatë e tillë ka ndodhur dhe në Elbasan.
Qytetari: Protestoni, por çfarë faji kemi ne të qëndrojmë në rrugë?! Unë vij nga puna. Duart si kam larë akoma.
Protestuesit: Edhe ti hall ke edhe ne hall kemi. Të lutem prit aty…
Qytetari: Unë vij nga puna
Protestuesit: Edhe unë nga puna vij.
Ky është një nga episodet e regjistruara në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan. Në këtë aks qëndrojnë përfaqësues degët e qarkut Korçë, Elbasan me deputetët Lefter Gështenja, Qani Xhafa, Edmond Spaho, Sorina Koti, Tomor Alizoti, etj.
Ndërkohë, më e qetë situata është në Rrogozhinë ku deputeti Dash Sula është shprehur se mjeteve të urgjencës dhe emergjencës u është hapur rruga në çdo rast, pavarësisht protestës. Kurse në Tiranë, Policia po bën vazhdimisht thirrje me megafon që të lirohet autostrada.