Rama “pranon” akuzat e opozitës: Keni të bëni me njeriun më të korruptuar që mund të ekzistojë! Negociatat me BE? Thoja do na zbërthejnë nga brinjët

Në episodin 7 të sezonit 3 të Podkastit “Flasim”, kryeministri Rama kishte të ftuar dy ekspertë të prokurimeve publike, për të biseduar për faktin se si ka ndryshuar pjesa e Prokurimit Publik, sidomos pas zyrtarizmit të negociatave me BE-në, ku Shqipëria u ul në tryezë me 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian për grup-kapitullin e parë “Themeloret”.
Rama iu adresua akuzave të opozitës për korrupsion dhe duke ironizuar iu drejtua të ftuarve: “keni të bëni me njeriun më të korruptuar që mund të ekzistojë”, e më tej “nuk e di ç’të them, ose duhet të çmendesh, ose duhet ta bësh atë punë”.

Ndërsa përfundoi duke thënë që “duhet të mbyllësh veshët dhe të shohësh përpara dhe thua ‘ju kam lënë Zotin’”.

“E di shumë mirë se shumica e mjekëve nuk e kushtëzojnë me lekë shërbimin e tyre siç thonë ‘të lënë të vdesësh po nuk u dhe lekët’, shumica dërrmuese e mësuesve patjetër.

Mirëpo, kjo është situata, bota ku po jetojmë. Në këtë pikë ke të bësh me njeriun më të korruptuar që mund të ekzistojë, nuk e di çfarë të them, ose duhet të çmendesh, ose duhet ta bësh atë punë, ose vetëm duhet të mbyllësh veshët dhe të shohësh përpara dhe thua ‘ju kam lënë Zotin se nuk di çfarë të them më’”, tha Rama.

NEGOCIATAT ME BE

Kryeministri Edi Rama tha se hapja e negociatave me BE-në për grup-kapitullin e parë ishte krenari për të. Rama deklaroi se është besimplotë se deri në 2030-ën do të arrihet maja e ëndrrës shumëvjeçare.

Kreu i qeverisë u shpreh se para se të hapej grupkapitulli i parë mendonte ‘do na zbërthejnë nga brinjët, si do ta përballojmë’.

“Për mua ka qenë një pikë e lartë krenarie pikërisht pika ku unë vuaja stresin që do të ishte një pikë e ulët energjie sepse thosha ‘tani u hapën, do fillojë diagnoza, ekografia, mamografia, i gjithë ai i kompleks analizash i gjithë trupi të vendit përpara se të fillojë negociata e drejtpërdrejt që nisi javën e shkuar dhe qe ata do të na zbërthejnë brinjët, si do ta përballojmë ne dhe a e kemi administratën për ta përballuar.

Ky proces më ka dhënë krah dhe energji të rinovueshme për të besuar që do ta arrijmë majën e ëndrrën shumëvjeçare brenda dekadës, 2030 si afati final”, tha Rama në podkastin “Flasim”.


Shtuar 26.10.2024 09:34