Pas arrestimit të dhunshëm të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka.
Sipas Nokës, pasi nuk likuidoi dot PD-në, Edi Rama ka vendosur që të likujdojë Partinë e Lirisë.
Noka shprehet se arrestimi i Ilir Metës, ishte një shfaqje e turpshme e policisë.
“Jo vetëm arrestimi, por ndalimi në rrugë i automjetit në formën e aksionit blic, është një shfaqje e turpshme për Policinë e Shtetit, që zbaton me përpikmëri urdhërat politikë të kryeministrit-prokuror.
E turpshme për Shqipërinë dhe qytetarët #shqiptarë që ish Presidenti dhe ish Kryeministri i vendit të tyre të tërhiqet me forcë nga maskat e narkoshtetit.
Edi Rama, pasi nuk ia doli të likuidojë PD-në, synon eliminimin politik të Partisë së Lirisë. Zgjedhjet po afrojnë dhe Rama kërkon që shqiptarët të mos kenë alternativa e ai vetë të mos ketë kundërshtarë.
Të gjitha do t’i kthehen mbrapsht.
Populli opozitar do të qëndrojë i bashkuar përballë diktaturës së mafias. Narkoshteti i Ramës do shembet para syve tanë.
Dy drejtuesit kryesorë të opozitës janë arrestuar me urdhër të Ramës. Të përballemi me të gjitha forcat! Mosbindje civile deri në fund!”,– shprehet Noka.