“Blindohet” hyrja e Kryeministrisë, masa për protestën e nesërme të opozitës

Autoritetet po marrin masa për të bllokuar hyrjen kryesore të Kryeministrisë, për të shmangur çdo incident gjatë protestës së opozitës të planifikuar për nesër.

Në orën 18:00, opozita do të mbajë protestën e saj kombëtare në Tiranë, pas vendimit për dënimin me një vit burg të ish-deputetit Ervin Salianji. Sipas Partisë Demokratike, protesta do të ketë një format të ri, pa fjalime politike, dhe do të nisë nga godina e qeverisë, duke përfshirë marshime në disa rrugë kryesore të qytetit.

Opozita nuk ka zbuluar ende se cilat rrugë do të bllokohen, duke theksuar se kjo protestë e 7 tetorit do t’u japë zë qytetarëve. Në tubim do të marrin pjesë edhe aleatët e Partisë Demokratike, si Ilir Meta, Fatmir Mediu, Agron Duka dhe Vangjel Dule. Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj dhe Dashamir Shehi nuk do të jenë të pranishëm, duke shfaqur mosbesim ndaj strategjisë aktuale të opozitës.

Protesta u thirr pas arrestimit të Salianjit, dhe Partia Demokratike ka bërë të ditur se do të vazhdojë aksionet e saj deri në largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në vitet e fundit, PD ka ndërmarrë veprime të ndryshme, siç ishte protesta me çadrën në 2017, djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale. Mbetet për t’u parë nëse ky aksion i ri do të sjellë rezultate në përballjen e ardhshme me Partinë Socialiste


Shtuar 6.10.2024 23:35