Meta thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e 7 tetorit: Të tregojmë se populli nuk dorëzohet

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka mbajtur fjalën në mbledhjen e Këshillit Drejtues, ku ndër të tjera foli për aksionin opozitar dhe protestën e datës 7 tetor.

Meta shprehet se Partia e Lirisë mbështet protestën kombëtare të thirrur me 7 tetor, duke thënë se e vetmja rrugë për të luftuar atë që e duan ‘narkoshteti’ është përballja ballore.

“Deputetët do të jenë si Tedi Blushi të gjithë. Deputetë sufllaqesh nuk çon Ilir Meta në Parlament, dakord? Risqet që ka sjellë narkoshteti rëndojnë çdo shqiptar dhe mbi vendin në mënyrën më kërcënuese. Siguria e jetës, punës dhe pronës, është në pikëpyetje për çdo shqiptar. Sot është koha që gjithsecili të marrë përgjegjësitë e tij dhe ne në radhë të parë. Narkoshteti shkulet kur çdo shqiptar ushtron përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe ndaj vendit dhe njëkohësisht ndëshkon me votë dhe protestë të vazhdueshme.

Unë jam i bindur se ndjenja e protestës dhe pakënaqësisë e akumuluar prej kohësh te çdo shqiptar që ndjen peshën e korrupsion skizofrenik të qeverisë për pasigurinë e punës, pronës, shëndetit, çmimeve stratosferike dhe kostos së lartë të jetesës, jam i bindur se flaka e zemërimit të tyre do të shpërthejnë. Geni patriotik i shqiptarëve dhe të zgjuar. E vetmja rrugë është përballja ballore. Partia e Lirisë mbështet protestën kombëtare të thirrur me 7 tetor. Të tregojmë se populli nuk dorëzohet dhe që fuqia e bashkimit qytetar është shumë herë më e madhe se terrori që narkoshteti tenton të mbjellë te qytetarët tanë”, u shpreh Meta.


Shtuar 1.10.2024 19:00

Tags: ,