Reagimi i SHBA dhe BE për mandatin e Xhaçkës, Spiropali: Zbatimi i vendimeve të GJK-së thelbësor

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka shprehur bindjen e saj të plotë se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është një çështje thelbësore për ruajtjen e kontrolleve dhe balancave në sistemin demokratik të Shqipërisë.

Në një reagim të fundit, pas deklaratave nga përfaqësitë e BE dhe SHBA në Shqipëri për shpërfilljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës, Spiropali u shpreh se e kishte ngritur këtë çështje si prioritet, duke kërkuar që Kuvendi të ndjekë dhe zbatojë vendimet e mbetura të GJK.

Spiropali shtoi se votimi i djeshëm demonstroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të një viti e gjysëm më parë dhe së fundmi ai i Korrikut 2024, ka nevojë për sqarimin që kërkohet prej po kaq kohësh.

Ajo shtoi se pikërisht me qëllim marrjen e këtij sqarimi dhe dhënien fund të paqartësisë që e ka shoqëruar Kuvendin, për mënyrën e zbatimit të vendimit, i është drejtuar sot Komisionit të Venecias si një instancë me prestigj e kompetencë të padiskutueshme.

Kryeparlamentarja theksoi se sapo të merret nga Komisioni i Venecias opinioni përkatës, do të veprohet sipas atij opinioni pa humbur asnjë ditë më shumë.


Shtuar 13.09.2024 17:55