EMRI/ AMP arreston shefin e Operacionales në Gjirokastër: Ka bashkëpunuar me një grup kriminal

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për punonjësin e policisë, Kryekomisar Agim Fejzo, me detyrë Shef i Sektorit të Shërbimeve Operacionale në DVP Gjirokastër, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Fejzo, sipas AMP ka bashkëpunuar me një grup kriminal që ushtronte veprimtaritë kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Njoftimi i AMP:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për punonjësin e policisë, Kryekomisar A.F., me detyrë Shef i Sektorit të Shërbimeve Operacionale në DVP Gjirokastër, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”

Nga hetimet intensive disa mujore nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Gjirokastër, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, u siguruan prova se punonjësi i policisë ka bashkëpunuar me një grup kriminal që ushtronte veprimtaritë kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.


Shtuar 13.09.2024 17:49