Dy muaj para zgjedhjeve presidenciale në SHBA

Kur kanë ngelur edhe dy muaj para ditës së zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, kandidatët për president Donald Trump dhe Kamala Harris po përgatiten për debatin e tyre të parë. Ndërkohë, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns, fushata e të dy kandidatëve është përqëndruar në çështjen e ekonomisë.

Në qendër të fushatës së republikanit Trump është ekonomia dhe sulmet ndaj rivales Harris. Donald Trump, Kandidat republikan për president “Asaj nuk do t’ia dijë për punëtorët ose amerikanët e klasës së mesme. Ajo nuk e çan kokën për ju”, thotë zoti Trump.

Ekipi i zonjës Harris thotë se republikani Trump është ai që do të dëmtojë fuqinë punëtore me shkurtimin e taksave për korporatat. Kamala Harris, Kandidate demokrate për presidente.

“Forcimi i klasës së mesme do të jetë përparësia kryesore e presidencës sime”, thotë zonja Harris.

Ekonomia është çështja më me rëndësi për votuesit në këto zgjedhje. Ky është një problem që zonja Harris duhet ta trajtojë shpejt, thotë analisti Hank Sheinkopf.

“Ajo duhet të sqarojë se përse njerëzit po paguajnë më shumë për karburant, pse ushqimet e tyre kanë këto çmime dhe pse prodhuesit e këtyre produkteve po u japin më pak për të njëjtat para”, thotë ai.

Kandidati republikan për nënpresident, JD Vance thotë se vota për zonjën Harris nënkupton humbje të vendeve të punës.

“Mendoni për të gjitha interesat e fuqishme, burokracinë në këtë vend, njerëzit që janë pasuruar duke i dërguar vendet tuaja të punës në Kinë. Ata e duan Kamala Harris-in. E vetmja mënyrë për t’i mposhtur dhe luftuar është në kutitë e votimit në nëntor”, thotë ai.

Nga ana tjetër, Tim Ëalz thotë se janë demokratët ata që përkushtohen ndaj punëtorëve amerikanë.

“Donald Trump dhe JD Vance kanë diçka tjetër në mendje. E vetmja gjë që ata dinë për punëtorët është se si të përfitojnë prej tyre, se si të mos i paguajnë. Sa herë u është dhënë rasti, kanë zhvilluar luftë kundër punëtorëve dhe kushteve të tyre”, thotë zoti Ëalz.

Dy muaj para zgjedhjeve, gara mbetet e ngushtë. Në shumicën e sondazheve të opinionit publik zonja Harris shfaqet me një epërsi të lehtë ndaj zotit Trump në shkallë kombëtare.

David Martinez, votues në Miçigan, mbështet zotin Trump.

“Ai është një patriot i vërtetë amerikan. Ai mendon më shumë për njerëzit sesa për veten e tij. Në çdo veprim ai përpiqet të ndihmojë dikë”, thotë ai.

Becca Rush, votuese në Xhorxhia, mbështet zonjën Harris.

“Është viti 2024, kemi nevojë për frymë të re dhe një të ardhme më të ndritur”, thotë ajo.

Ndërsa vazhdojnë fushatën, kandidatët Trump dhe Harris do të kalojnë pjesën më të madhe të ditëve të ardhshme duke u përgatitur për debatin e tyre të parë presidencial më 10 shtator./VOA


Shtuar 6.09.2024 20:30