Ç’po ndodh mes Moskës dhe Beogradit? Vuçiç refuzon ftesën e Putin për të marrë pjesë në samitin e BRICS

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se nuk do të mund të pranonte ftesën e presidentit rus Vladimir Putin për të marrë pjesë në samitin e BRICS në Rusi muajin e ardhshëm, raportuan mediat të enjten.

“Ne kemi mysafirë të rëndësishëm që vijnë nga jashtë në atë kohë”, citohet të ketë thënë Vuçiç nga Radio Evropa e Lirë.

Kryeqyteti i Tatarstanit, Kazan, do të presë një takim të nivelit të lartë të BRICS në 22-24 tetor.

BRICS, i formuar fillimisht në vitin 2009 nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, synon të bashkojë ekonomitë më të rëndësishme të botës në zhvillim, si dhe të veprojë si një kundërpeshë politike dhe ekonomike ndaj kombeve më të pasura në Perëndim. Grupi i vendeve u zgjerua në fillim të këtij viti për të përfshirë Egjiptin, Etiopinë, Iranin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Putin tha të mërkurën se ai shpresonte se Vuçiç do ta pranonte ftesën e tij, të cilën Vuçiç konfirmoi se e kishte marrë “10-12 ditë më parë”. Udhëheqësi serb kishte thënë se do të shqyrtonte mundësinë e pjesëmarrjes në samitin e BRICS.

Më herët të enjten, Bashkimi Evropian paralajmëroi Serbinë se mbajtja e lidhjeve të forta me Rusinë ishte “e papajtueshme” me aspiratën e saj për t’u bashkuar me BE-në pasi zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandar Vulin e përshkroi Beogradin si “aleat të Rusisë” kur u takua me Putinin në Vladivostok.

Serbia ka historikisht lidhje të ngushta me Moskën dhe varet shumë nga gazi rus. Ndërsa dënoi pushtimin rus të Ukrainës në Kombet e Bashkuara, Beogradi ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Kremlinit.


Shtuar 6.09.2024 18:10

Tags: ,