Policia Rrugore mbi 22 mijë gjoba në një javë, 56 shoferë të arrestuar

Policia Rrugore në një javë, ka ndëshkuar me masë administrative mbi 22 mijë drejtues mjetesh, ndërsa mësohet se 56 janë arrestuar për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe për drejtim të mjetit pa patentë.

Gjithashtu, janë pezulluar 161 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara, për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur dhe për qarkullim në sens të kundërt.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, për qëndrim në radhë kur ka ngadalësim të lëvizjes së automjeteve në raste fluksi, për përdorim të rrugëve alternative, që t’u japin përparësi këmbësorëve dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria e Policisë Rrugore/Masa të shtuara për të parandaluar aksidentet rrugore.

Nisur nga fluksi shumë i lartë i automjeteve që qarkullojnë në akset rrugore nacionale, zonat bregdetare, turistike, dhe në zonat e mëdha urbane, si dhe nga shkeljet e shumta të rregullave të qarkullimit rrugor të konstatuara nëpërmjet mjeteve inteligjente, Policia Rrugore ka intensifikuar masat me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Si rezultat i monitorimit në të gjitha akset rrugore, 24/7, duke përdorur mjete inteligjente shpejtësimatëse, poliskanë, radarë automatikë, dronë të cilësisë së lartë, dragera dhe telescope, gjatë javës që lamë pas:

-janë pezulluar 161 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara, për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur dhe për qarkullim në sens të kundërt;

-janë arrestuar 56 drejtues mjetesh, për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë vendosur 22 260 masa administrative, nga këto:

6212 për shpejtësi tej normave të lejuara;

1123 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;

1125 për mospërdorim të rripit të sigurimit;

2100 për parakalime të gabuara;

178 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;

108 për manovra të rrezikshme në rrugë;

213 për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit;

9229 për parkim të gabuar;

1972 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Gjatë javës që kaloi, është goditur nga Policia Rrugore e Tiranës, 1 rast i tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masave administrative për shkeljen e konstatuar.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, për qëndrim në radhë kur ka ngadalësim të lëvizjes së automjeteve në raste fluksi, për përdorim të rrugëve alternative, që t’iu japin përparësi këmbësorëve dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit.

Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

 


Shtuar 25.08.2024 11:03