HETIMET/ Një ditë para se të qëllonte Kostën, polici Goxhara takoi gruan e tij në prani të nipit. Me plagë në trup Lorenci telefonoi kolegun

Një ditë para sulmit me armë zjarri ndaj inxhinierit të ERE Lorenc Kosta, ish-punonjësi i policisë Erjon Goxhara ka zhvilluar një takim me bashkëshorten e tij ku në prezencë ka qenë dhe nipi i tij.
Sipas burimeve të “Ora Neës” takimi është zhvilluar në zonën e “TEG”-ut ku Goxhara i gjendur në tension dhe gjendje të rënduar psikologjike ka biseduar me bashkëshorten e tij sa i takon dyshimeve për xhelozi dhe tradhëti.

Sipas dëshmisë së nipit të Goxharës ai ka tentuar ta godasë disa herë bashkëshorten e tij, por nuk është lejuar.

Në përfundim të takimit ka qenë nipi ai i cili ka shoqëruar për në banesë gruan e dajës (bashkëshorten e Erjon Goxharës), ku gjatë rrugës ajo godiste veten në fytyrë dhe në pjesë të ndryshme të trupit.

Burimet bëjnë me dije se të nesërmen Erjon Goxhara ka shkuar në rrugën “Tish Dajia”, ku sapo ka parë Lorenc Kostën e ka qëlluar me armë zjarri.

Edhe pse i plagosur, Kosta ka marrë në telefon një koleg të punës së tij duke i treguar se e kishin qëlluar poshtë shtëpisë së tij.


Shtuar 21.08.2024 10:21