Besnik Boletini, Arta Berisha dhe së fundi Safet Kabashaj që të tre pjesë të Bordit të Radiotelevizonit të Kosovës (RTK) kanë dhënë dorëheqje pas publikimit të lajmi të portalit boshnjak ku sulmohet rëndë Nacionale e Periskopi.
Ndërkohë, Nacionale ka arritur që të sigurojë procesverbalin e mbledhjes së parë të Brodit në të cilin është diskutuar publikimi i këtij lajmi dhe marrja e masave dhe paralajmëron se gjatë ditës së sotme do të publikojë krejt çka u diskutua në mbledhjen e Bordit të RTK-së një ditë pas publikimi të lajmit të “Slobodna Bosna” në lajmet qendrore të RTK-së.
Në këtë procesverbal që ka 16 faqe janë të gjitha diskutimet e Bordit përfshirë edhe drejtorin e TV-së, Rilind Gërvalla.
Sipas këtij proces verbali, anëtari i partisë së Vetëvendosjes që është drejtor i Televizonit, Rilind Gërvalla ka arsyetuar publikimin e lajmit duke u thirrë në burime nga institucionet e sigurisë.
Gjithashtu, në këtë mbledhje janë bërë krahasime të lajmeve, duke përmendur edhe audio-iniçizimet e shefes së deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari – Lila me kriminelin serb, Milan Radoijiçiç
Më tej, procesverbali tregon se kush e ka bllokuar shkarkimin e Rilind Gërvallës nga pozita e drejtorit.
Ndërkohë, këto ditë kanë dhënë dorëheqje tre anëtarë të Bordit të RTK-së.
Kryetari i Bordit Besnik Boletini dha njoftimin për dorëheqje nga pozita e kryetarit të Bordit të RTK-së. Ai ka bërë me dije se gjetjet e raportit tregonin në mënyrë të qartë se RTK i kishte shkelur standardet profesionale. Boletini ka akuzuar zëvendësdrejtorin e RTK-së, Adi Krasta, se nuk ka dashur të marr masa ndaj atyre që shkaktuan skandalin.
“Sot gjatë mbledhjes së bordit, kam dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe anëtarit të Bordit të RTK-së. Përpjekjet për të adresuar skandalin e publikimit të një artikulli të paverifikuar, gjatë këtyre javëve ishin të përditshme dhe të vazhdueshme, përkundër vështirësive. Gjetjet e raportit të komisionit ishin të qarta. Që nga data 9 gusht, zëvendësdrejtori Adi Krasta (që i ka përgjegjësitë e drejtorit) nuk po e adreson këtë raport. Të jesh në krye të transmetuesit publik edhe për një ditë është privilegj, por edhe përgjegjësi. E siç po shihet ai nuk ka vullnet për të marrë masa ndaj atyre që e shkaktuan skandalin”, ka shkruar ai.
Arta Berisha gjithashtu konfirmoi dje se dorëheqja e saj ndërlidhet me skandalin e shkrimit të Slobodna Bosna të publikuar në RTK.
Berisha ka thënë se janë shkelur standardet profesionale të gazetarisë, dhe sipas saj bordi është gënjyer. Dorëheqje ka dhënë edhe Safet Kabashaj nga pozita e anëtarit të Bordit.
Ndërkohë për këto dorëheqje reagoi një anëtare e Bordit, Albulena Mehmeti, e cila hodhi kritika ndaj kolegëve të saj. /Nacionale/