Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut konfirmoi të enjten arratisjen e Blerim Ramadanit, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ishte ndaluar nga autoritetet policore maqedonase në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia dhe ndodhej në “arrest shtëpie”.
Ministria e Brendshme u tha mediave lokale se autoritetet po punojnë për të gjetur zotin Ramadani.
Autoritetet nuk japin hollësi mbi rrethanat e arratisjes së shtetasit të Kosovës, teksa një media online në gjuhën maqedonase shkruan se “zoti Ramadani është arratisur nga shtëpia e miqve të tij në Shkup, ku qëndronte nën arrest shtëpie në bazë të një urdhri të gjykatës themelore në Shkup”.
Sipas portalit sdk.mk, pas ankesës së Prokurorisë tre gjykatës të Gjykatës Penale të mërkurën i kishin caktuar Ramadanit masën e sigurisë të paraburgimit prej 30 ditësh, për shkak të rrezikut se mund të arratisej.
Gjithnjë sipas portalit, dikush nga Gjykata Penale e kishte njoftuar zotin Ramadani dhe më pas është arratisur.
Javën e kaluar ministria e Jashtme e Kosovës tha se një gjykatë në Shkup vendosi të mos e dorëzojë tek autoritetet serbe zotin Ramadani, i cili do të vazhdojë të qëndrojë në arrest shtëpie në Shkup deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës së Lartë të Maqedonisë së Veriut.
Çështja ka përplasur partitë politike në vend, ndërkohë që organet e rendit dhe gjyqësori kanë hedhur poshtë akuzat që i ngarkojnë me faj në këtë rast.
Ministria e Punëve të Brendshme ishte e ngarkuar për mbikëqyrjen dhe konrtollin e Blerim Ramadanit, sipas Gjykatës Penale.
Lidhja Social Demokrate e opozitës kërkon llogaridhënie nga ministri i rendit, Pançe Toshkovski, prej të cilit kërkon dorëheqjen nga posti për shkak të përgjegjësisë direkte për arratisjen e Ramadanit.
Ndrkohë, ministri Toshkovski kërkokn të dijë pse gjykata vendosi ta lërë Ramadanin në arrest shtëpie dhe jo në paraburgim.
Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim e shikon rastin si një “sjellje vasale të qeverisë në Shkup ndaj fqinjëve, duke arrestuar ish-pjesëtarë të UÇK-së”.
Ndërkohë, partitë e koalicionit Vlen në qeveri thonë se zoti Blerim Ramadani as nuk duhej arrestuar fare dhe se ai ishte mbajtur gjatë kohë në paraburgim.
Ka reaguar edhe minnistri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç duke kërkuar shpjegime nga pala maqedonase për arratisjen e ish-ushtarit të UÇK-së, ndërsa e ka quajtur rastin “një arratisje skandaloze nga arresti i shtëpisë të një terroristi dhe krimineli të luftës”.
Blerim Ramadani u arrestua më 17 korrik në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Glloboçicë – Jazhincë, afër Tetovës.
Pas disa ditësh qëndrimi në paraburgim ai u la më 1 gusht në arrest shtëpie tek miq të tij në Shkup, derisa autoritetet gjyqësore të merrnin një vendim përfundimtar se a do ta ekstradonin atë në Serbi ose jo.
Autoritetet e Kosovës, përmes ambasadës në Shkup kishin kërkuar lirimin e tij. Blerim Ramadani ishte pjesëtar i Zonës Operative të Nerodimes të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Veteranët e UÇK-së nga Ferizaji, ku bënte pjesë ish-luftëtari Ramadani, kërkuan lirimin e tij të menjëhershëm, ndërsa aktakuzat e autoriteteve të Serbisë kundër pjesëtarëve të UÇK-së i quajtën të fabrikuara dhe arrestimet “të padrejta dhe shqetësuese për të gjithë veteranët”.
Serbia e akuzon zotin Ramadani për “krime lufte në rajonin e Nerodimes, në komunën e Ferizajt në verën e vitit 1999”.
Ky nuk është rasti i parë kur autoritetet maqedonase ndalojnë shtetasit e Kosovës në bazë të urdhër-arresteve të Serbisë.
Të paktën edhe dy ish-pjesëtarë të UÇK-së ishin arrestuar në Maqedoni në disa vitet e fundit po me urdhër-arresti nga ana e Serbisë./VOA