Vrasja në Pogradec/ Skënder Brataj: Ambulanca shkoi në vendngjarje për 7 minuta

Pas Drejtorit të Policisë, Muhamet Rrumbullaku, ka qenë radha e shefit të Urgjencës, Skënder Brataj, për të dalë në konferencë për mediat e për të na thënë se institucionet kanë reaguar në mënyrë të shkëlqyer dhe profesionale, në vrasjen e Egli Progës në Pogradec nga 29-vjeçari Denis Meçe.

Brataj deklaroi se ambulanca ka mbërritur në kohën e duhur, brenda 7 minutash në vendin e ngjarjes dhe sipas tij, viktima ka marrë ndihmë mjekësore si në ambulancë edhe në spital.

“Nga verifikimi që kemi kryer, rezulton se në orën 19:12 minuta ka ardhur thirrja e Policisë së Pogradecit drejt urgjencës, ku kërkohet ndërhyrje e shpejtë për një person që gjendet në rrugë, në rrethrrotullimin te Agjencia. Infermieri i vlerësimit ka kaluar të dhënat në orën 19:12, në orën 19:14 ekipi është nisur drejt vendngjarjes dhe në 19:18 ka mbërritur në vendin e ngjarjes.

Pas 2 minutash, pacienti është vendosur në autoambulancë, pra në 19:20, dhe është drejtuar drejt spitalit të Pogradecit. Përgjatë 11 minutave të rrugës nga vendngjarja në spital, pacienti është asistuar nga stafi mjekësor, gjë e cila ka vazhduar brenda ambienteve të spital. I gjithë misioni ka qenë në total 20 minuta, duke nisur nga kërkesa për ndihmë. Ekipi ka shkuar në vendngjarje për 7 minuta, në total për 20 minuta është menaxhuar misioni me kod të kuq traumatik që dihet dhe rezultati final”, tha Brataj.

Këto reagime të Muhamet Rrumbullakut dhe Skënder Bratajt, erdhën pas akuzave të familjarëve për mosreagim në kohë të institucioneve dhe tentativë për të fshehur krimin.


Shtuar 14.08.2024 13:28